Komuna e Kamenicës ka ndërprerë punimet në dy objekte që kanë nisur të ndërtohen pa leje në fshatin Karaçevë të Kamenicës, aty ku vitin e kaluar u rrënuan kazinotë ilegale.
Banorë të fshatit i kanë thënë KOHËS se ka tri ditë që kanë nisur punimet në këtë hapësirë, duke shprehur dyshimet se mos po rindërtohen kazino.
Ndërkaq, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se punimet janë ndërprerë pasi ishin ndërtime pa leje.
“Mund të konfirmoj që inspektorati për dy objekte që kanë filluar të ndërtohen pa leje i ka urdhëruar me i ndërpre punimet. Ata në vizitën tjetër shkojnë dhe e konfirmojnë. Sipas ligjit, nëse nuk pajisen me leje, ato rrënohen”, ka thënë Kastrati.
Sipas banorëve, puna fillimisht është ndërprerë, por që pas largimit të inspektoratit, punëtorët janë kthyer dhe kanë vazhduar punën. Këtë e ka konfirmuar edhe Kastrati, i cili ka thënë se procedurat ndaj ndërtuesit vazhdojnë.
Ai ka shtuar se aktualisht nuk dihet se për çfarë qëllimi ka nisur ndërtimi i këtyre objekteve.
Në shtator të vitit të shkuar në këtë fshat ishin rrënuar disa kazino ilegale, ndërsa ishin arrestuar dhjetëra persona.