Arbëri

Ndërkombëtarët duan “dialog konstruktiv” për strukturat ilegale serbe

Bashkimi Evropian e ka përsëritur thirrjen që çështja e strukturave paralele serbe të zgjidhet përmes një “dialogu konstruktiv” të lehtësuar nga ana e tyre. Këtë e ka kërkuar edhe UNMIK-u. E kryeministri Albin Kurti, pas përurimit të degës së një banke në Leposaviq të enjten, insistoi se gjithçka në veri duhet të kryhet në mënyrë ligjore

Zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE) e kanë përsëritur kërkesën që çështja e strukturave paralele të trajtohet në kuadër të dialogut të Brukselit.

Por zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, nuk ka ofruar sqarime për cilësimin “struktura të mbështetura nga Serbia”, me të cilin u është referuar në komunikatën e një dite më parë strukturave ilegale serbe.

“Ne gjithmonë besojmë në fuqinë e dialogut dhe kjo është absolutisht parësore dhe e nevojshme. Kjo është arsyeja pse ne po bëjmë të gjitha përpjekjet tona në këtë dhe kjo është arsyeja pse ne po kërkojmë nga të gjitha palët e përfshira ta bëjnë këtë”, ka thënë Hipper në një konferencë për media të enjten.

Sipas Qeverisë së Kosovës, ato që u mbyllën të mërkurën ishin struktura ilegale të drejtuara nga Serbia.

Nëpërmjet aksionit të përbashkët të Ministrisë së Brendshme, Policisë, Ministrisë së Industrisë dhe të Administrimit të Pushtetit Lokal, të mërkurën janë mbyllur komunat paralele serbe, posta e zyra tatimore në disa qytete të Kosovës.

Sipas BE-së, mbyllja e strukturave ilegale bie ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së.

Brukseli zyrtar ka përmendur edhe masat kundër Kosovës, duke thënë se me veprime të tilla nuk kontribuohet në heqjen e tyre.

“Veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj BE-së në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i po monitoron kryerjen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij”, thuhet në reagimin e BE-së.

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, është përgjigjur me tri qartësime sa i përket aksionit të Policisë në mbylljen e strukturave paralele në disa rajone të mërkurën. Bajrami ka sqaruar se ato struktura ishin ilegale të drejtuara nga Serbia, se s’ka marrëveshje mbi ato dhe që aksioni nuk nxiti tensione.

Veç BE-së, shqetësim për aksionin shprehën Shtetet e Bashkuara, Franca e Gjermania.

Të enjten ka reaguar edhe shefja e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, duke thënë se kjo ndikon në jetën e përditshme të individëve.

“Zadieh shprehu shqetësimin për veprimet kundër institucioneve të financuara nga Serbia në mbarë Kosovën dje, të cilat rezultuan në mbylljen e disa institucioneve, duke përfshirë zyrat postare, ndërtesat e institucioneve dhe qendrat e mirëqenies sociale. PSSP-ja është e shqetësuar për ndikimin e këtyre mbylljeve në jetën e përditshme të individëve, veçanërisht atyre nga komunitetet joshumicë, të cilët varen drejtpërdrejt nga këto institucione. Veprime të tilla të njëanshme rrezikojnë besimin e mëtejshëm ndërmjet komuniteteve dhe autoriteteve të Kosovës”, shkruan në reagimin e UNMIK-ut.

Ziadeh e ka përsëritur se çështje të tilla duhet të zgjidhen në mënyrë konstruktive.

“Ziadeh përsërit thirrjet e saj që çështjet e pazgjidhura të diskutohen në mënyrë konstruktive, në komunikim të hapur dhe në mirëbesim brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ajo u bën thirrje të gjithëve që të punojnë drejt zgjidhjeve të negociuara dhe të qëndrueshme për mirëqenien dhe sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë, si e vetmja rrugë e pranueshme përpara”, thuhet në reagim.

Shqetësim për aksionin ka shprehur edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Një ditë pas aksionit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave dhe zyrave të tjera paralele serbe, në veri të vendit ka qëndruar kryeministrit Albin Kurti. Pas përurimit të degës së një banke komerciale në Leposaviq, Kurti nuk foli direkt për aksionin, por për mundësitë që gjithçka të kryhet në mënyrë ligjore.

“Është ditë e mirë për qytetarët e Leposaviqit, për banorët që jetojnë e punojnë këtu dhe për shtetin tonë e ekonominë e vendit tonë, meqenëse u hap dega e Bankës Ekonomike, e cila do të mundësojë të kryhen pagesat, transferet, po ashtu edhe kreditimi dhe në këtë mënyrë të gjitha shërbimet do të jenë të hapura për qytetarët dhe bizneset në mënyrë që të përfitojnë familjet edhe ndërmarrësia. Në këtë mënyrë ka mundësi që gjithçka të kryhet në mënyrë legale dhe transparente në përputhje me ligjin, me kushtetutshmërinë dhe me rregullat e të bërit biznes, të financave dhe të bankimit në Republikën tonë”, ka thënë Kurti.

Aksioni i së mërkurës është vazhdimësi e atyre të vitit të kaluar ku janë mbyllur organe të strukturave paralele të Serbisë.

Organe ilegale serbe janë mbyllur në Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj dhe në komunat në veri. Veç ndalimit të përdorimit të dinarit serb është mbyllur edhe kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq.