*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!
Ndarja gjinore vazhdon të ndikojë te të rinjtë gjatë orientimit në karrierë. Gratë në përgjithësi punojnë në punë që kanë të bëjnë me “njerëzit”, ndërsa burrat punojnë me “gjësende”. Një nga gratë që u regjistrua në shkollë për automekanike, tha se u paragjykua edhe nga mësimdhënësit. Shumica e shkollave nuk ndihmojnë nxënësit të përcaktohen për profesionin
Driana Hoti sapo ka përfunduar programin e Edukimit fillor në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës. Në një ceremoni të veçantë, që u ndoq edhe nga familjarë, asaj iu dhurua diploma.
Driana zgjodhi profesionin që e ushtroi babai i saj, por që me kalimin e viteve në shoqëri u perceptua si punë grash.
“Dëshira për t’u bërë mësimdhënëse në të ardhmen ka buruar prej prindit tim, më konkretisht babait, që është mësimdhënës me profesion, kështu që gjatë gjithë kohës kam qenë e përfshirë në njëfarë forme në këtë profesion dhe kur ka ardhur koha për ta regjistruar fakultetin veçse kjo bindja ka qenë kështu e plotë dhe e kam nisë me shumë vullnet dhe me shumë dëshirë”, tha ajo, pas ceremonisë.
Për të studiuar në drejtimin në të cilin diplomoi Driana, sivjet aplikuan 218 maturantë, prej të cilëve vetëm 5 djem.
Ndërkaq, mbi 11 mijë është numri i grave të punësuara në institucionet arsimore nga niveli parashkollor deri në atë të mesëm të ultë, e rreth 6 mijë numri i burrave.
Edhe të dhëna globale tregojnë se tregjet e punës vazhdojnë të jenë të ndara në baza gjinore.
Një raport i Komisionit Evropian thotë se gratë në përgjithësi punojnë në punë që kanë të bëjnë me “njerëzit”, ndërsa burrat punojnë me “gjësende”.
Dorentina Qerimi është një nga gratë që ka shembur stereotipat. Ka mbi 7 vjet që ajo e bën punën e automekanikes, profesion që perceptohet si i burrave.
Dorentina thotë se e ndërpreu vijimin e mësimit për profesionin që ushtron, pas paragjykimeve edhe nga mësimdhënësit.
“Jam regjistrua në shkollën teknike në Ferizaj, dhe nuk kam mundur ta vazhdojë për shkak se kam qenë shumë e paragjykuar, duke filluar prej nxënësve, prej mësimdhënësve”, thotë ajo.
Por, nuk u dorëzua. Ajo nisi punën si automekanike, ani se nuk arriti ta përfundojë shkollimin për të. Tani edhe punon në këtë profesion, e me gjysmënormë edhe në një restorant.
“Ka pas klientë që më ka thënë, të lutem a mundesh me u largu se më vjen tepër palidhje me pa një femër duke bërë punë të burrave. Si ndjenjë është shumë e keqe. Përndryshe ka pasur klientë që më kanë dhënë shumë përkrahje, e çka më bën të lumtur është se ata që më kanë paragjykuar në fillim, sot më kërkojnë”, tregon me mburrje Dorentina.
Blenda Asllani është hulumtuese në organizatën QIKA dhe thotë se stereotipat gjinorë ndikojnë në përzgjedhjen e profesioneve.
“Nëse i shohim mësimdhënësit që japin mësim për nivelet e ulëta siç janë 1-5 apo niveli parafillor, përgjithësisht janë mësimdhënëse ose edukatore, se janë role që ne përgjithësi ua atribuojmë grave si punë të kujdesit, e burrat që janë shumë pak, por ata që marrin pjesë në këtë veprimtari përgjithësisht priren me u stigmatizu prej shoqërisë”, thot ajo.
Në hapësirën ECR që KOHA ua ka ofruar qytetarëve për të treguar mbi zgjedhjen e profesionit, 85.2 për qind deklaruan se në shkollën ku vijuan mësimin, nuk pati të angazhuar këshilltarë për karrierë. E, nga ata që thanë se profesionin e kanë zgjedhur në konsultim me të tjerët, 65.3 për qind treguan se u konsultuan me prindërit.
Ndarja e profesioneve në bazë gjinore shihet edhe te regjistrimi i nxënësve në shkollimin e mesëm. Sipas Agjencisë së Statistikave, në gjimnaze dominojnë vajzat për 4 mijë më shumë, e në shkolla profesionale djemtë, për 5 mijë më shumë.