Policia në rajonin e Ferizajt ka konfirmuar se ka ndaluar vizitat për të gjitha shoqatat e alpinistëve në Malet e Sharrit. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli ka konfirmuar për KOHËN se Policia kanë marrë urdhër që të ndalojë vizitat për të gjitha shoqatat e alpinistëve.
“Është marrë vendim për të mos me i lejuar shoqatat që i kanë organizuar. Kemi pas kërkesa edhe prej shoqatës së Alpinistëve nga Kosova edhe asaj nga Serbia për të kryer vizita në Malet e Sharrit por nuk janë lejuar”, ka thënë Veseli, pa dhënë arsyet e kësaj ndalese.
Veseli ka bërë të ditur se vizitat janë ndalur gjithashtu në Jezerc e Kaçanik.
Ndërkohë jo zyrtarisht KOHA merr vesh se vizitat për këto dy ditë në Malet e Sharrit dhe në zona të tjerat janë ndaluar për çështje të sigurisë.
E lidhur me këtë ndalesë ka shkruar edhe Ben Islami nga “Hiking Njeri”. Ai përmes një statusi në Facebook ka bërë të ditur se pas ndalesës së policisë për të vizituar Malet e Sharrit në rajonin e Shtërpcës është ndërruar destinacioni i vizitës.
“Para pak çastesh na lajmëruan Policia e Kosovës dhe AKI-së për një të kohë të pacaktuar janë ndaluar ecjet në komplet bjeshkët e Sharrit”, ka shkruar mes tjerash Islami.
Që nga mbrëmë alpinistë që kishin arritur nga Serbia dhe veriu i Mitrovicës ishin njoftuar se nuk do t'u lejohej vizita në Malet e Sharrit, derisa mediat serbe kanë raportuar se pjesëtarë të policisë sot kanë qëndruar në Shtërpcë ku nuk i kanë lejuar ata të kryejnë këtë vizitë.
E lidhur me ndalesën e vizitës në Malet e Sharrit ka reaguar Zyra për Kosovën në Qeverinë Serbe.
Sipas kësaj zyre ky lloj i kufizimit të lirisë së lëvizjes është demonstrim më i zakonshëm i forcës dhe një manifestim i dukshëm i shovinizmit.
“Ne apelojmë tek përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë e Metohi që të reagojnë me vendosmëri në situata të tilla, sepse incidentet si kjo shkaktojnë dëme të pariparueshme për të ndërtuar besimin ndëretnik. Ne gjithashtu kërkojmë nga alpinistët dhe qytetarët serbë të Shtërpcës që të jenë të qetë dhe të mos bien pre e një përpjekje tjetër të dukshme nga Prishtina” thuhet mes tjerash në këtë reagim.
Kujtojmë se në maj të këtë viti grupi i bjeshkatarëve të “Kosova Mounain Club” gjatë një vizitë në veri të Mitrovicës, ishin sulmuar me armë zjarri në Zubin Potok pranë kufirit me Kosovën.