Arbëri

Ndalet puna e njësisë B2 të termocentralit Kosova B

KEK

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se është ndaluar puna e Njësisë B2 të Termocentralit “Kosova B”, për shkak të rrjedhjeve të konsiderueshme të ujit.

KEK-u ka njoftuar të mërkurën se procesi i sanimit të gypave të dëmtuar do të zgjasë deri në 48 orë, derisa tha se ka arritur të sigurojë rreth 5000 megavat energji elektrike nga burime të jashtme “që përfaqëson 90% të kapacitetit të planifikuar të prodhimit të njësisë B2”.

Korporata Energjetike ka njoftuar se hera e fundit kur kjo njësi ka pasur rrjedhje ishte më 4 dhjetor të vitit të kaluar. Ndalja u tha se ishte e domosdoshme për të parandaluar pasoja më të mëdha.

“Vlen të theksohet se hera e fundit kur kjo njësi ka pasur një rrjedhje të tillë ishte më 04.12.2024, dhe për të parandaluar ndonjë defekt me pasoja më të mëdha, ndalja e saj ka qenë e domosdoshme. Ekipet tona të mirëmbajtjes dhe ekspertëve teknikë janë në gatishmëri të plotë për të filluar procesin e sanimit të gypave të dëmtuar. Bazuar në vlerësimet paraprake, pritet që ky proces të zgjasë rreth 48 orë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Rizvanolli: Blloku B2 pritet të kthehet në funksion nesër në mëngjes

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Blloku B2 pritet të rikthehet në funksion deri nesër, 10 prill, në orën 8 të mëngjesit. Ajo ka vizituar punimet e remontit në Bllokun B1 në Termocentralin Kosova B.

“Investimet e këtij viti do t’ia rrisin kapacitetin e kësaj njësie për rreth 15 MW, ndërsa me përfundimin e plotë të rehabilitimit, TC Kosova B do t'i rritet kapaciteti për 80 MW, prodhimi vjetor për 600 GWh, si dhe jetëgjatësia për 20 vite. Gjatë vizitës gjithashtu u informova se në Bllokun B2 kishte një rrjedhje, si pasojë e së cilës blloku është dashur të nxirret jashtë funksionit mbrëmë pas mesnate. Megjithatë, ekipet janë duke punuar me intensitet të lartë dhe blloku pritet të rikthehet në funksion deri nesër në orën 08:00 të mëngjesit”, ka shkruar në Facebook.