Arbëri

Ndalet prodhimi në minierë, meqë s’ka para për ta paguar rrymën

Flotacioni i Kishnicës ka dy javë që është pa furnizim me energji elektrike, shkaku i mospagesës së faturave për rrymën e shpenzuar. Për pasojë, prodhimi aty është ndalur ndërsa edhe punëtorët rrezikojnë të mbesin pa paga. E ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, theksoi se tashmë ka nisur pagesa e borxhit dhe se furnizimi me energji elektrike pritet të rikthehet javën e ardhshme

Janë bërë dy javë qëkur Flotacioni i Kishnicës përballet me mungesë të furnizimit me energji elektrike, për të cilën arsye aty është ndalur prodhimi.

Ndërprerja e furnizimit ka ndodhur si shkak i mosrealizimit të pagesës së faturave për energjinë elektrike të shpenzuar.

Një punëtor i Flotacionit, që foli për KOHËN në kushte anonimiteti, tha se kjo nuk është hera e parë që puna aty ndikohet nga mungesa e energjisë elektrike.

“Sipas ndërprerjes së rrymës që e kemi për gati 2 javë, uji tash e ka marrë këtë pjesë, rrezikohen elektromotorë të punës. Në vitin 2024, ne më shumë kemi pasur ndalesa për shkak të reagencave të rrymës, e xehen nuk po kemi mundësi me përpunuar”, ka thënë ai.

Mungesën e energjisë elektrike e konfirmoi edhe udhëheqësi i njësisë biznesore miniera me Flotacion Kishnicë e Artanë, Fisnik Frangu. Ai tha se borxhi ka qenë i akumuluar për disa muaj dhe se është problem i trashëguar.

E në Sindikatën e Pavarur të Minatorëve me Flotacion Kishnicë e Artanë thanë se përveç ndikimit në prodhim, për pasojë të gjendjes edhe punëtorët mund të hasin në telashe me pagat.

“Shumica e punëtorëve kanë shkuar në pushim. Miniera e Artanës punon, xehen e dërgon në Flotacion, mirëpo Flotacioni nuk e filtron për arsye të mungesës së energjisë elektrike. Nëse nuk filtrohet xehja, problem tjetër janë edhe pagat tona, për shkak se prej xehes varen edhe pagat tona”, thuhet në një përgjigje të Sindikatës.

Faton Ahmeti, ushtrues detyre i kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, konfirmoi se është realizuar një pjesë e pagesës së faturave dhe se furnizimi me energji elektrike pritet të rikthehet javën e ardhshme.

“Kemi probleme me energji elektrike, është problem për arsye të borxhit që ka qenë borxh i trashëguar, kemi bërë marrëveshjen, ku për njërën pjesë të marrëveshjes e kemi përfunduar pagesën. Të hënën është pjesa tjetër e pagesës që do ta përfundojmë. Gjatë javës së ardhshme, pritet të rikthehet furnizimi me energji elektrike”, ka thënë Ahmeti.

Njësia e “Flotacionit të Kishnicës” ndodhet në afërsi të Graçanicës dhe merret me prodhim të koncentratit të plumbit e zinkut, teksa funksionon në kuadër të Minierës së Artanës.