“Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese me kërcënimet secesioniste në Bosnjë-Hercegovinë, me situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë dhe progresin e vogël në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës. Rusia po ashtu po bën përpjekje për ta penguar demokracinë në rajon, përmes kërcënimeve hibride dhe kibernetike përfshirë edhe dezinformimin, po përdor ndjesitë e brendshme për të krijuar ndasi”, është shprehur Rutte në një adresim para gazetarëve
Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka kualifikuar situatën e sigurisë në Kosovës dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor si të brishtë teksa ka tërhequr vërejtjen për përpjekjet e Rusisë që ta pengojë zhvillimin e demokracisë dhe të krijojë ndasi në rajon.
Këtë Rutte e ka thënë të mërkurën në një adresim para gazetarëve, të mbajtur në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, i cili do të zhvillohet në selinë e Aleancës Veriatlantike në Bruksel gjatë së enjtes dhe të premtes.
“Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese me kërcënimet secesioniste në Bosnjë-Hercegovinë, me situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë dhe progresin e vogël në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës. Rusia po ashtu po bën përpjekje për ta penguar demokracinë në rajon, përmes kërcënimeve hibride dhe kibernetike përfshirë edhe dezinformimin, po përdor ndjesitë e brendshme për të krijuar ndasi”, është shprehur Rutte.
Ai ka bërë të ditur se situata në Kosovë dhe misioni i KFOR-it do të jenë tema që do të shqyrtohen në takimin e ministrave të mbrojtjes.
“Për më shumë se dy dekada, KFOR-i ka ruajtur një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për lirinë e lëvizjes. Përkushtimi i NATO-s për KFOR-in mbetet i fuqishëm edhe sot”, ka deklaruar Rutte.
Rreth 200 pjesëtarë të Forcës Aleate të Reagimit të NATO-s janë dislokuar së fundmi në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut për të kryer stërvitje që synojnë rritjen e gatishmërisë dhe mbështetjen e KFOR-it.
Situata në Kosovë është tensionuar që prej vitit të shkuar, me protestat e serbëve në veri, por veçanërisht pas sulmit të armatosur nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, ku pati mbetur i vrarë rreshter Afrim Bunjaku.
Dy javë më parë, ish-kryeministri i Holandës Rutte e ka marrë detyrën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, duke e pasuar Jens Stoltenbergun.
Ai ka folur edhe për përpjekjet e Rusisë që të krijojë ndasi në rajonin e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet fushatave dezinformuese.
“Rusia, po ashtu, po bën përpjekje për të penguar demokracinë në rajon me kërcënime hibride dhe kibernetike, përfshirë edhe dezinformimin. Ajo po përdor ndjesitë e brendshme për të krijuar ndasi“, ka theksuar ai.
Takimi i së enjtes dhe i së premtes do të jetë i pari i Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të ministrave të Mbrojtjes, nën udhëheqjen e Ruttes.