Raporti ka konstatuar se për vite me radhë, misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR – ka ruajtur një ambient të sigurt dhe lëvizjen e lirë për të gjitha komunitetet, në bashkëpunim me organizatat e tjera ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian (BE), Kombet e Bashkuara (OKB) dhe të tjera. Në këtë raport janë numëruar gjithashtu sfidat me të cilat është ballafaquar KFOR-i gjatë vitit të shkuar, pas shpërthimit të dhunës në veriun e banuar kryesisht me serbë
Prania ushtarake e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në Kosovë është kyçe për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, është bërë e ditur në raportin vjetor të NATO-s, të cilin e ka paraqitur të enjten në Bruksel sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, Jens Stoltenberg.
Raporti ka konstatuar se për vite me radhë, misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR – ka ruajtur një ambient të sigurt dhe lëvizjen e lirë për të gjitha komunitetet, në bashkëpunim me organizatat e tjera ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian (BE), Kombet e Bashkuara (OKB) dhe të tjera.
Në këtë raport janë numëruar gjithashtu sfidat me të cilat është ballafaquar KFOR-i gjatë vitit të shkuar, pas shpërthimit të dhunës në veriun e banuar kryesisht me serbë.
“Në vitin 2023, KFOR-i luajti rol kyç për të siguruar stabilitet në Kosovë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Pas shpërthimit të dhunës në muajin maj dhe në shtator, aleatët dislokuan rreth 1.000 forca rezervë për misionin, që paraqet rritjen më të madhe në një decenieje. Kjo ia ka mundësuar KFOR-it ta trefishojë numrin e patrullimeve dhe ta katërfishojë praninë në veri të Kosovës“, është theksuar në raport.
Tensionet në veri patën filluar të rriteshin në fund të majit të 2023-s, pasi kryetarët e rinj të komunave në Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, hynë në objektet komunale.
Banorët serbë e kundërshtuan këtë dhe organizuan protesta që kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, me ç’rast u patën plagosur dhjetëra demonstrues dhe ushtarë të KFOR-it.
Ato u përshkallëzuan disa muaj më vonë, më 24 shtator, kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë një polic dhe tre sulmues.
Si rrjedhojë, NATO-ja ka shtuar numrin e ushtarëve të saj në KFOR.
Sipas raportit të së enjtes, me rritjen e fundit gjatë vitit të shkuar, misioni i KFOR-it i ka 4.700 pjesëtarë në Kosovë, përfshirë edhe forcën rezervë.
Në raportin e tij vjetor, Stoltenberg ka përmendur edhe ndihmën që NATO-ja u ka ofruar organizatave të sigurisë në Kosovë për ndërtimin e kapaciteteve të tyre, sidomos në fushën e logjistikës, për mbështetje mjekësore, prokurim dhe menaxhim të resurseve njerëzore.
Edhe në raportin e sivjetmë është shprehur mbështetje e NATO-s për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“NATO-ja mbetet e përkushtuar në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Beogradit dhe Prishtinës. Dialogu është platforma kryesore për arritjen e zgjidhjes e cila respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme, që është në dobi të sigurisë së Kosovës dhe stabilitetit të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, është thënë në raportin e prezantuar nga Stoltenbergu.
Në këtë raport të hollësishëm janë përmendur aktivitetet kryesore të NATO-s në vitin e fundit, duke nisur nga angazhimi për ndihmë ndaj Ukrainës në përballje me agresionin e Rusisë, rritja e pranisë në krahun lindor për të siguruar mbrojtjen e territorit të të gjitha vendeve anëtare, rritja e investimeve për forcimin e kapaciteteve ushtarake të aleancës, deri tek angazhimi në misionet, siç është ai i KFOR-it në Kosovë.
NATO-ja ka prezantuar rregullisht raporte vjetor për aktivitetet e veta.
Raporti i prezantuar të enjten në Bruksel konsiderohet i fundit i paraqitur nga sekretari i tanishëm Stoltenberg, pasi që pritet që së shpejti, mundësisht para samitit në Uashington të Shteteve të Bashkuara, që do të mbahet në korrik, aleatët të pajtohen për emërimin e pasardhësit të Stoltenbergut.