Hyn në diskutim nga strukturat e NATO-s mënyra e financimit të bazës detare të NATO-s në Durrës. Këtë e ka pohuar të hënën në Tiranë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, pas kthimit nga Brukseli, ku ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Komandën Supreme të Aleancës në Evropë. Peleshi ka thënë se për këtë ka diskutuar me komandantin suprem të NATO, gjeneral Christopher G. Cavoli.
Ministri Peleshi është shprehur se ka disa problematika me financimin, por theksoi se është gjetur mënyra për investim. Sipas tij, ajo që po i ofrohet NATO-s është që kjo pikë hyrje në Ballkanin Perëndimor dhe në pjesën lindore të Aleancës të jetë sipas standardeve që kërkon vetë NATO.
“Unë kam pas me 14 dhjetor një takim në qendrën e NATO-s me komandantin suprem të NATO-s , gjeneral Christopher G. Cavoli, njëkohësisht dhe komandanti i Komandës Amerikane për Evropën. Njëra nga pikat e diskutimit ka qenë mundësia e mbështetjes nga NATO të portit ushtarak pranë portit komercial të Porto Romanos. Ky është një projekt i rëndësishëm për Shqipërinë, por edhe për aleancën. Siç e ka thënë komandanti suprem i NATO-s para një viti kur ishte këtu në Shqipëri, Durrësi si nyje hyrëse për në Ballkanin Perëndimor dhe në krahun lindor të NATO-s është i rëndësishëm për NATO-n. Ajo që po i ofrojmë ne NATO-s është që kjo hyrje të jetë sipas standardeve të NATO. Ne jemi duke u konsultuar me NATO sipas dizajnit të NATO-s. Krahas konsultimeve ne po punojmë edhe për financimin. Ka disa opsione për financimin, ka një burokraci që nuk shmanget dot, por ka hyrë në diskutim nga strukturat e NATOs edhe kjo mënyrë financimi”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur për krijimin e një baze detare të NATO-s në Porto Romano gjatë një konference me gazetarë, me 1 korrik të këtij viti. Rama është shprehur se përveç pjesës komerciale në portin e ri në Porto-Romano është parashikuar edhe një pjesë ushtarake për financimin e të cilës do të kërkohet ndihma e NATO-s.
“NATO ka hyrë në një fazë të re të bashkëfinancimit edhe të projekteve të posaçme. Po ndërtohet baza ajrore në Kuçove që ndërkohë sa i përket portit ne do të financojmë vetë pjesën komerciale. E kemi ftuar NATO-n të marrë pjesë për një financim për pjesën ushtarake. Kjo do të jetë me vlerë të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Lufta në Ukrainë ka përmasën e vet ushtarake për të cilën mund të flasim publikisht. Ka edhe përmasën e vet ekonomike. Nëse e realizojmë këtë, do të jete diçka me një vlerë të jashtëzakonshme strategjike për Shqipërinë, por edhe me një vlerë strategjike të rëndësishme edhe për vetë NATO-n”, ka thënë Rama me 1 korrik të këtij viti.
Ndërsa me 13 korrik, gjatë qëndrimin në selinë e NATO-s në Bruksel ku është takuar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Rama ka prezantuar ambiciet e Shqipërisë për të mirëpritur NATO-n në portin e vet.
“E vlerësoj shumë disponueshmërinë e sekretarit të përgjithshëm Stoltenberg për të na kushtuar pak kohë në bisedën tonë për t’iu prezantuar ambicien tonë për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës sonë, duke vënë në dispozicion të NATO-s, një bazë të flotës detare të fjalës së fundit”, pati thënë Rama.
Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Aktualisht në këtë vend po ndërtohet baza taktike ajrore e NATO-s në Kuçovë, e cila është tërësisht financim i huaj. Ndërkohë, që në Shqipëri është edhe selia e Komandës Evropiane të Operacioneve Speciale të Ushtrisë Amerikane, e njohur me akronimin SOCEUR.