Arbëri

Nagavci ua shkëput kontratat katër operatorëve ekonomikë për ndërtimin e shkollave

Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, njoftoi se ua ka shkëputur kontratat katër operatorëve ekonomikë që ishin kontraktuar për ndërtim të shkollave dhe sallave të sportit në pesë komuna, e që sipas saj s’i kishin realizuar punimet.

Ajo ka shkruar në Facebook se janë shkëputur kontratat e operatorëve për ndërtimin e shkollës “Model” në Pejë, “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, “Fan Noli” në Istog, dhe për dy sallat në Vushtrri dhe në Petrovë të Shtimes

Sipas ministres Nagavci, për këta kontraktorë ka pasur ankesa nga komuniteti për vonesa e edhe moskryerje të detyrave në afatin e paraparë.

“Vlera totale e këtyre kontratave të ndërprera është 2.151.933.96 euro. Për shkak të mosrealizimit të punimeve sipas planit, në proces të shkëputjes janë edhe 5 kontrata tjera. Ftoj operatorët ekonomikë të kontraktuar nga MASHTI që të respektojnë kushtet e kontratës, për të siguruar cilësinë e projekteve dhe për të shmangur vonesat që mund të ndikojnë negativisht në procesin mësimor. Në të kundërtën, do të ndërmarrim masa ligjore ndaj të gjitha kompanive që nuk respektojnë kushtet e kontratës”, ka shkruar ajo.

Nagavci ka shtuar se çdo vonesë në përmbushjen e obligimeve mund të sjellë pasoja financiare dhe ligjore.

“Kur e kemi pranuar detyrën në Ministrinë e Arsimit kemi gjetur disa kontrata të lidhura për ndërtimin e shkollave, çerdheve dhe sallave sportive, ndërkohë që kemi pranuar me të drejtë shqetësime nga komuniteti për vonesat, ashtu si dhe njoftime nga zyrtarët për mos kryerjen e detyrave në afatin e paraparë”, theksoi ministrja Nagavci.