Arbëri

Nagavci thotë se janë buxhetuar pagat për 500 asistentë për nxënësit me aftësi të kufizuara

Arbërie Nagavci - MASHTI

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se janë buxhetuar pagat për punësimin e 500 asistentëve për nxënësit me aftësi të kufizuara. 

KOHA ka raportuar  se nxënësve me aftësi të kufizuara nuk po u ofrohen kushte bazë shkollimi.

Nagavci ka thënë se pos buxhetimit të pagave për asistentët, është ofruar edhe mundësia për kualifikimin e tyre për t’u punësuar si asistent. 

Të martën në një postim në Facebook, Nagavci, ka thënë se është hapur konkursi për regjistrimin e kandidatëve të gjeneratës së shtatë për nivelin V të kualifikimit “Asistent për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore”.

“Një nga premtimet tona që po e përmbushim kanë qenë asistentët për fëmijët me nevoja të veçanta. Si Ministri kemi buxhetuar pagat për punësimin e 500 asistentëve. Krahas kësaj kemi ofruar edhe mundësinë për kualifikimin e atyre që kanë interes për t’u punësuar si asistent. Në linjë me këtë kemi hapur sot konkursin për regjistrimin e kandidatëve të gjeneratës së shtatë për nivelin e V-të, të kualifikimit ‘Asistent për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore’. Këtë vit shkollor, kualifikimi do të ofrohet në 8 grupe, prej tyre 3 grupe në Prishtinë dhe nga një grup në Ferizaj, Gjilan, Prizren, Gjakovë dhe Mitrovicë. Të gjithë kandidatët të cilët me sukses e përfundojnë këtë kualifikim, do të pajisen me diplomë sipas standardeve të BTEC”, ka shkruar Nagavci.