Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka anuluar të mërkurën një aktivitet në Komunën e Vitisë ku pritej të përurohej një shkollë në fshatin Pozheran e një çerdhe në fshatin Dobreshë.
Komuna e Vitisë i ka thënë KOHËS se shkolla fillore “Halil Alidema” ende s’është finalizuar, e kjo ka qenë arsyeja e anulimit të përurimit. Drejtoresha e Arsimit në Viti, Arta Ajeti ka thënë se shtyrja e përurimit është bërë në koordinim me Ministrinë e Arsimit.
“Po, për shkak që ende nuk është finalizuar shkolla fillore ‘Halil Alidema’ në fshatin Pozheran, ka qenë arsyeja e anulimit të përurimit. Në koordinim MASHTI me Komunën e Vitisë kanë shtyrë ceremoninë e përurimit me një kohë pacaktuar (derisa të bëhet pranimi teknik)”, thuhet në përgjigjen e saj.
Ministria e Arsimit ka njoftuar nëpërmjet emailit në mëngjes se aktivitetet janë anuluar, por pa dhënë arsye.
MASHTI paralajmëroi të martën për aktivitetet në Viti.
“Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ArbërieNagavci ditën e nesërme, me 8.01.2025, do të zhvilloj disa aktivitete në Viti. Në ora 10:00, përurimi i shkollës ‘HalilAlidema’ në Pozheran të Vitisë. Në ora 11:00, përurimi i çerdhes në fshatin Dobresh të Vitisë (Objekti i adaptuar nga shkolla në çerdhe)”, thuhet në njoftim.
Për çerdhen, Komuna i ka thënë KOHËS se aty mungojnë pjesë të inventarit dhe ende s’janë zhvilluar procedurat e rekrutimit të stafit.
Për këtë rast ka reaguar gjatë së mërkurës edhe kryetari i Komunës, Sokol Haliti.
“Komuna e Vitisë, përmes një shkrese zyrtare më datë 06.01.2025, rreth orës 15:34, është njoftuar nga Ministria e Arsimit se përurimi i objektit të Sh.F.M.U. ‘Halil Alidema’ në Pozheran dhe i çerdhes publike në Drobesh do të bëhet më datë 08.01.2025, me fillim në orën 10:00. Me këtë rast, unë si kryetar i komunës, i shoqëruar nga inxhinierët komunalë, kam vizituar këto objekte dhe nga inxhinierët është konstatuar se akoma ishin duke u zhvilluar punime. Më pas, si kryetar i komunës së Vitisë, unë kam njoftuar Ministrinë e Arsimit rreth punimeve të papërfunduara, dhe ata janë pajtuar që përurimi i këtyre objekteve të bëhet pasi të përfundojnë punimet”, ka shkruar ai në Facebook.
Ministria e Arsimit ka thënë për KOHËN se shkolla në Dobresh mund të përurohet nga sot, pasi sipas saj, pranimin teknik e bënë Komuna, e jo investitori, sipas Ligjit të ri të prokurimit.
“Sipas Ligjit të ri të prokurimit, pranim teknik klasik nuk ka më nga ana e investitorit. Këtë e bënë Komuna. Investitori i kësaj çerdheje(në këtë rast MASHTI) i dorëzon Komunës ose DKA-së së komunës përkatëse, çertifikimin e përfundimit të punimeve me ç’rast përfundojnë obligimet e investitorit. Pikërisht kjo ka ndodhur në Drobesh dhe ajo çerdhe mund të inaugurohet nga dita e sotme. Ndërsa, sa i përket shkollës në Pozharan, investitor ka qenë MPBAP dhe ne si MASHTI kemi pasur informacione që çdo gjë është gati. Në koordinim me kryetarin e komunës është vendosur që të anulohen inaugurimet deri në një njoftim të ardhshëm”, thuhet në reagim.
MASHTI ka shtuar se nxënësit e kësaj shkolle kanë mësuar me orar të shkurtuar tash e gjashtë vjet.
“...Andaj është shumë e rëndësishme që ky objekt po përfundohet dhe nxënësit nuk do të mbajnë më orën 25 minuta siç ka ndodhur tash e disa vite”, thuhet tutje.