Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, iu kanë bërë thirrje prindërve që të jenë të vëmendshëm dhe t’i përcjellin se çka shikojnë fëmijët në internet, duke përmendur se rrjeti social TikTok “mund të ketë ndikim të fortë negativ”.
Nagavci ka deklaruar nëpërmjet një videomesazhi se mësimdhënësit, psikologët dhe shërbimet e tjera institucionale duhet të rrisin koordinimin për ndërgjegjësimin e fëmijëve, duke shtuar se të rinjtë duhet ta përdorin në mënyrë të sigurt internetin.
“Mësimdhënës të dashur, vazhdoni t'i mësoni e udhëzoni fëmijët që ta përdorin internetin në mënyrë të dobishme e të përgjegjshme. Të nderuar prindër, të dashur qytetarë, secili prej nesh të përkujdeset për sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimi të teknologjisë në mënyrë që së bashku të krijojmë rrjetin e qëndrueshëm për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet online, dhuna, lëndimi i vetes dhe i të tjerëve. Të shqetësuar nga rastet e vetëlëndimit të vajzave të mitura si pasojë e ndikimit nga platforma abuzive”, ka thënë ministrja Nagavci.
E, ministrja Haxhiu ka potencuar se fëmijët janë e ardhmja dhe ndaj tyre duhet të ketë shumë përgjegjësi.
“Fëmijët janë e ardhmja dhe për ta kemi shumë përgjegjësi. Ju bëj thirrje të jeni të vëmendshëm ndaj përmbajtjeve që fëmijët shikojnë në internet. Monitorimi dhe udhëzimi jonë si prindër është i rëndësishëm për t'i mbrojtur nga rreziqet që mund të fshihen në rrjete. Platformat si TikTok mund të kenë ndikim të fortë negative në vetëbesimin dhe mirëqenien e fëmijëve”, është shprehur ajo.
Disa nxënëse nga Gjakova kanë lënduar veten në duar, si pjesë e një sfide vetëlënduese në rrjetin social TikTok. Policia e Kosovës po e heton rastin.