Besianë Musmurati nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nëpërmjet planit për lagjen “Kalabria”, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, po tenton të betonizojë kryeqytetin dhe t’i dëmtojë qytetarët.
Ajo ka thënë se plani i prezantuar të hënën në mbledhjen e asamblistëve në kryeqytet nuk ishte i detajuar dhe pati mangësi të shumta.
“Ky plan po e betonizon Prishtinën, janë disa pika të ndjeshme, e një prej tyre është vlerësimi i pronës publike. Badovci po përsëritet, pasi logjika e njëjtë po përdoret në Kalabri. 15 hektarë rreth Stacionit të Autobusëve po tentohet të tjetërsohen për ndërtim të lartë. Kryetari po thotë se do t’i sjellë disa investitorë për të investuar në unazën e qytetit...S’kemi asnjë andcie për të besuar se kjo do të ndodhë. Kemi edhe kopshtin botanik që është pronë publike, e edhe ajo është kthyer në pronë për ndërtim. Jemi qyteti me më së paku pronë publike, edhe ato që i kemi duam që kompanitë private t’i ndërtojnë banesa”, ka thënë Musmurati në emisionin "60 Minuta" të KTV-së.
Sipas saj, nëpërmjet planit për lagjen e “Kalabrisë” synohet të shtohen 140.000 banorë të rinj, e që për PDK-në është zor e realizueshme pasi “s’ka hapësira të gjelbra”.
Nënkryetarja e PDK-së u ka bërë thirrje të gjithë asamblistëve që të reflektojnë dhe të mos e pranojnë këtë plan.
“Ky plan i dëmton qytetarët e ‘Kalabrisë’, ne nuk jemi kundër planit, nuk kemi votë kundër planit, por kundër këtij plani pasi edhe atyre do t’ua bëjë jetën të pajetueshme aty. Kemi pritur 3 vjet për këtë plan e i kemi edhe 10 ditë kohë me zyrën e arkitektëve t’i fusin të gjitha kërkesat e banorëve, kemi ankesa nga banorët që s’e duan këtë”, shtoi ajo.
Ajo shtoi se po tentohet të ndërtohen banesa private në prona publike në kryeqytet, derisa theksoi se “30 për qind e banesave në Prishtinë janë të zbrazura”.