Arbëri

Musmurati: Organet e drejtësisë të nisin hetime nëse ka favorizim në planin për lagjen “Kalabria”

Ish-drejtoresha e arsimit në komunën e Prishtinës nga radhët e PDK-së, Besianë Musmurati, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të nisin hetimet nëse ka favorizim në planin për lagjen “Kalabria” të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ku ndërtimi parashihet të bëhet me koeficient 2.4 në shumicën e lagjes, por jo edhe për parcelën e Stacionit të Autobusëve, ku koeficienti i propozuar është 7.

Të premten në emisionin “038” të KTV-së, Musmurati ka thënë se Rama po tenton ta bëjë gabimin e njëjtë sikurse me rastin e Badovcit. 

“Badovci po përsëritet si rast. PDK-ja në Prishtinë e ka pasur një qëndrim shumë të prerë për rastin e Badovcit dhe se si është bërë shfrytëzimi i pronës publike në raport me ndërtuesit privatë. Ne besojmë se prona publike duhet të trajtohet ndryshe dhe se në asnjë variant nuk duhet të shkëmbehet apo të tjetërsohet për interesa të ngushta të kompanive të ndërtimit. Ne o besojmë që plani aktual i Kalabrisë i prezantuar nga kryetari Përparim Rama, është një plan i paqartë, ka dyshime të mëdha rreth asaj se çfarë dhe ku ka planifikuar. Banorët e lagjes e kanë totalisht të paqartë se çfarë do të ndodhë me pronat e tyre. PDK-ja nuk ka votë për këtë plan të Kalabrisë, por kjo nuk do të thotë se nuk kemi votë për një plan më të mirë”, ka thënë ajo. 

Musmurati ka shtuar se në planin e prezantuar mungojnë gjërat bazike dhe ka tjetërsim të pronës publike. 

“Asambleja komunale e Prishtinës e ka mundësinë ta votojë një plan të mirë. Duhet që nga kryetari Rama të servohet një plan që në të vërtetë është i duhuri për qytetin. Mendoj që edhe banorët do t’i kemi në krah. I gjithë ai ndërtim është planifikuar ne nuk e dimë sepse nuk është e markuar se ku janë çerdhet e shkollat. Mungojnë gjërat bazike, ka tjetërsim të pronës publike. Aq pak tokë publike sa ka në atë pjesë, edhe atë tentojnë ta vënë në shfrytëzim të kompanive të ndërtimit”, është shprehur Musmurati.