Arbëri

Musliu-Shoshi e PDK-së: S’kemi vija të kuqe ndaj asnjë partie shqiptare

Ariana Musliu - Shoshi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se kjo parti nuk ka vija të kuqe ndaj asnjë partie shqiptare.

Sipas saj, PDK-ja është e gatshme për zgjedhje të parakohshme me shpërndarjen e Kuvendit, por jo edhe dy partitë tjera opozitare – Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Si PDK ne kemi kërkuar shpërndarjen e Kuvendit. Kemi kërkuar votat nga partitë opozitare që të jemi të gjitha bashkë drejt, pra votës për shpërndarjen e Kuvendit. Duke marrë parasysh faktin që dy partitë opozitare me qëndrimet e tyre LDK-ja dhe AAK-ja janë kundër një vendimi të tillë, atëherë nuk jam e sigurt se a i kemi votat sepse e dimë që kërkohen 80 vota që të bëhet shpërndarja e Kuvendit. Prandaj mendoj që është pjesë e liderëve të partive opozitare që të konkretizojnë se si do të ecim përpara. Mirëpo nëse arrijmë si parti opozitare që t’i kemi votat, patjetër që ka mundësi të shkojmë edhe në zgjedhje, mirëpo nëse nuk ka dakordim në mes partive opozitare e liderëve, atëherë nuk e shoh se si do të jenë votat që të ecin përpara”, ka thënë Shoshi për “Ekonomia Online”.

Deputetja e PDK-së ka thënë se kjo parti s’do të vendosë asnjëherë vija të kuqe ndaj të tjerave.
“Ne kemi thënë se jemi e vetmja parti e cila asnjëherë në asnjë palë zgjedhje nuk ka pas vija të kuqe me asnjë parti shqiptare. Prandaj është ende shumë herët të diskutohet për një çështje të tillë. Prapë se prapë ne si PDK i kemi organet tona, është Kryesia, është Këshilli Drejtues që paraprakisht e diskutojmë, marrim mendimin dhe opinionin, votën e secilit ashtu siç mendon dhe varësisht nga opinionet e ndryshme, vendimet merren në shumicë e nuk merren vendimet me individë”, ka thënë ajo.

Koordinim me partitë opozitare për ta caktuar datën e zgjedhjeve kërkoi edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Fitore Pacolli. Në të kundërtën, ajo u shpreh se VV-ja është e gatshme ta çojë mandatin deri në fund.

Çështja e zgjedhjeve u diskutua në një takim që patën ditë më parë edhe kryeministri Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.