Arbëri

Musliu: Për Spanjën, Kosova do të vazhdojë të mbetet Kataloni

Ligjëruesja e marrëdhënieve ndërkombëtare në Bruksel, Vjosa Musliu

Ligjëruesja e marrëdhënieve ndërkombëtare në Bruksel, Vjosa Musliu

Ligjëruesja e marrëdhënieve ndërkombëtare në Bruksel, Vjosa Musliu, ka thënë se për Spanjën, Kosova do të vazhdojë të mbetet Kataloni.

Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Musliu ka deklaruar se njohja e shtetit të Kosovës nga ky vend do ta vënte në pikëpyetje ekzistencën e shtetit spanjoll me kufijtë aktualë. 

“Për Spanjën Kosova do të vazhdojë të mbetet Kataloni sepse ka pasur një ushqyerje të madhe strukturore për dekada, për njehsimin e Kosovës me Kataloninë dhe kjo më pas e vë në pikëpyetje komplet ekzistencën e shtetit spanjoll me këta kufij që i ka sot sepse të njëjtën pyetje mund ta bëjnë më pas katalunasit brenda Spanjës në rast se ajo do ta njihte Kosovën. Për Spanjën është interes shtetëror që të mbrohet integriteti territorial që ka, jo vetëm në kuptimin politik por edhe konceptual”, ka thënë ajo.

Musliu ka shtuar se njohja e Palestinës si shtet nga Spanja, Norvegjia dhe Irlanda dhe njohjet tjera që do të pasojnë janë të vonuara. 

“Njohjet që erdhën gjatë kësaj jave dhe njohjet tjera që do të pasojnë, sido që të jetë janë njohje të vonuara sepse dhuna e aparatit shtetëror në Gaza nuk është se ka filluar pas 7 tetorit, ajo çfarë kemi parë në media është se pas 7 tetorit ka pasur një kulmim të një dhune sistematike dhe strukturore që ka ekzistuar qysh më parë”, është shprehur Musliu.

Ajo ka shtuar se njohjet nuk janë vendime arbitare dhe as të atypëratyshme. 

“Në rastin e Spanjës, fatkeqësisht në diskursin politik dhe publik në Spanjë, në marrëdhëniet historike ndërmjet saj dhe vendeve të Lindjes së Mesme, për ta njohja e Palestinës konsiderohet çështje morale. Spanja ka pasur një qëndrim shumë parimor karshi Palestinës, qëndrim që nuk e ka në raport me Kosovën”, ka shtuar ajo.