Arbëri

Mushkolaj: Beogradi i shfrytëzon vendet e garantuara në Kuvend për ta bllokuar Kosovën

Gjyljeta Mushkolaj

Hartuesja e Kushtetutës së Kosovës, Gjyljeta Mushkolaj, ka deklaruar se nëpërmjet 10 vendeve të garantuara në Kuvend për komunitetin serb, Serbia po i bllokon institucionet e Kosovë.

Ajo ka thënë të martën në “SOT” të KTV-së se ndërhyrja direkte e Beogradit zyrtar në procesin zgjedhor për serbët, po ndikon edhe në punën e Kuvendit të Kosovës.

“10 vendet e garantuara janë bllokuese dhe komuniteti serb po i shfrytëzon për të bllokuar ecjen përpara. Kosovën s’e bllokojnë qytetarët serbë, por Qeveria e Serbisë sepse ju ka bërë të mundur që nëpërmjet vendeve të garantuara në Kuvend, të bllokojë, sikur nuk lejon të ketë zgjedhje të pavarura në Serbi. Asnjëherë komuniteti serb s’ka pasur zgjedhje të lira në Kosovë. Është ushtruar dhunë e llojeve të ndryshme ndaj komuniteteve”, ka thënë Mushkolaj.

Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese ka thënë se është optimiste që bllokimi i kalimit të ligjeve të tejkalohet në të ardhmen “kur institucionet e Kosovës i ofrojnë garanci komunitetit serb për të mbajtur zgjedhje të lira”.

“Pasojat e kapërdimit të asaj kafshate te keqpërdorimit të zgjedhjeve të serbëve po i shohim sot kur s’mund të ecim përpara as sa i përket vettingut, e as për procese tjera. S’mund të flasim as për ndryshim të Kushtetutës, e as të ligjeve që janë vitale për komunitetet. Kemi mbetur peng i ndërhyrjeve direkte të Qeverisë serbe në Kosovë...Jam optimiste, por atëherë kur Kosova të ketë mundësi të organizojë zgjedhje të lira dhe t’ia garantojë komunitetit serb, atëherë vendet e garantuara s’do të jenë të penguese. Por, derisa Vuçiqi në Beograd përkdhelet nga bota demokratike ende, serbët do të jenë në Kosovë viktimë”, ka thënë ajo.

Mushkolaj e ka cilësuar kushtetutë moderne aktin më të lartë juridik të Kosovës, duke thënë se është më e avancuar se kushtetutat e disa vendeve të Bashkimit Evropian.

“Kushtetuta jonë është kushtetutë moderne që ngërthen në vete vlerat euroatlantike dhe vlerat e shekullit XXI. Më e avancuar se e shteteve të rajonit, më e avancuar se shumë shtete anëtare të BE-së. Vlerat e saj janë ngadalë duke u ngërthyer edhe nga shtetet e tjera që s’e kanë mbërritur atë stad të zhvillimit. Liritë dhe të drejtat të mos mund të pakësohen në cilëndo etapë...Kushtetuta mund të amandamentohet dhe duhet që të jetë në hap me kohën, por asnjë s’duhet t’i pakësojë liritë dhe të drejtat individuale që kjo kushtetutë i garanton”, ka thënë ish-gjyqtarja e Kushtetueses.

Mushkolaj ka potencuar se secili gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese ka të drejtë të vendosë, por që vendimet kundër për ndonjë çështje duhet t’i publikojë.

“Çkado që një gjyqtar ka pasur problem është dashur të diskutojë dhe të debatojë me kolegët, e nëse njëri s’pajtohet me kolegët e tij, ka mundësi të publikojë mendimin e tij konkurrues ose nëse nuk pajtohet me arsyetimin, mund të publikojë. Është dobësi e një gjyqtari që të votojë kundër një vendimi e të mos e bëjë publike pse ka votuar kundër. Palët që afektohen e publiku do të donin të dinin çfarë kundërargumente ka pasur ai gjyqtar për të votuar kundër”, është shprehur ajo.