Avokati Skënder Musa ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të paqarta me kërkesën ndaj Serbisë për rastin e sulmit në Banjskë në shtatorin e vitit të kaluar.
Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Musa ka thënë se fjalia “të mbahen përgjegjës”, mund të kuptohet edhe se autorët mund të gjykohen në Serbi.
“Diplomatët e fortë, siç është Departamenti amerikan i Shtetit, nëse duan t’i mbajnë përgjegjës këta, do të duhej të kërkonin që të bëhet ekstradimin në vendin ku është kryer krimi dhe ka pasur pasoja. Edhe po të ishim në një federatë me Serbinë, kompetencat për t’i gjykuar këta njerëz do t’i kishte Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special. Fjala ‘t’i mbajmë përgjegjës’ do të thotë që nuk po definohet që këta njerëz të ekstradohen në vendin ku është kryer vepra penale, ku është kryer krimi. ‘T’i mbajë përgjegjës, Serbia mund ta kuptojë dhe ta interpretojë këtë fjali që t’i gjykojë në territorin e Serbisë. Nëse ata gjykohen në Serbi, gjykohen për veprën penale ‘vrasje’, rendi kushtetues i Kosovës do të shkelej. (Ndërkombëtarët) në mënyrë publike e kanë lënë të paqartë, pasi Kosova mund ta interpretojë që ata duhet të kthehen në Kosovë, ndërsa Serbia me fjalinë ‘Të mbahen përgjegjës’ mund ta kuptojë që të gjykohen në Serbi. Dallimi është shumë i madh sepse nëse gjykohen në Kosovë, do të gjykohen për veprën penale ‘terrorizëm’ dhe ‘sulm ndaj rendit kushtetues’, nëse gjykohen në Serbi, mund të gjykohen për ‘trafikim të armëve’ dhe ‘shpëlarje të parave’ dhe ‘vrasje’”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se pushteti po bën presion që vendimi i gjyqësorit të merret para zgjedhjeve në shkurt, por sipas tij, një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë.
“Qeveria nuk duhet të kërkojë vendim, ashtu siç po mendojnë këta, ndoshta nuk janë asnjë juristë, sepse siç po e shoh unë këta e duan vendimin para 9 shkurtit, kjo nuk mund të ndodhë. Kjo nuk mund të ndodhë as në gjykatat e Kinës, as në të Koresë. Ka filluar presioni, qysh tash ministri i Punëve të Brendshme thotë se nuk është e plotë aktakuza, ndërkaq me profesion nuk është jurist fare”, është shprehur ai, teksa ka shtuar se ky rast nuk pret që të marrë epilog brenda vitit 2025.
Musa ka shtuar se pretendimet e kryekriminelit Milan Radoiçiq kanë qenë më shumë sesa të kryhet një vepër penale, pasi që ka qenë okupimi i një pjese veriore të Kosovës dhe ai përgjegjësinë më tepër e ka marrë në aspektin politik,
“Qëllimi i tyre ka qenë krijimi i një armate për ta vendosur kufirin sa më shpejt në pjesën veriore, për ta ndarë nga Republika e Kosovës. Nuk e konsideroj se ka marrë përgjegjësi juridike, por politike”, ka theksuar ai.