Avokati Skender Musa ka thënë se një numër i madh i deputetëve të legjislaturës së fundit nuk janë angazhuar fare në debate për t’i mbrojtur interesat e përgjithshme.
Ai ka thënë se një pjesë e deputetëve janë paraqitur në seanca me fjalime të shkruara nga tjerët të cilat s’kanë ditur t’i lexojnë. Ai ka thënë se në këtë aspekt janë veçuar deputetët e pushtetit.
“Në këtë mandat është vërejtur, që s’ka qenë në të kaluarën, pjesa më e madhe e deputetëve të partisë në pushtet kanë qenë me fjalime të shkruara, e shpeshherë s’kanë ditur t’i lexojnë...Kemi parë deputetë që s’kanë qenë në gjendje ta lexojnë fjalimin që i është shkruar. Kemi parë edhe që janë udhëhequr nëpërmjet sms-ave”, ka thënë Musa në “Zgjedhjet në KOHË”.
Ai ka thënë se për pasivitet kanë kryesuar deputetët e partisë në pushtet, por ka pasur edhe deputetë të opozitës. Ka thënë se disa deputetë s’janë parë fare në Kuvend gjatë 4 vjetëve, e po shfaqen tash në fushatë.
Jakaj: Legjislatura e fundit me shkeljet më të mëdha kushtetuese

Naim Jakaj, monitorues i Kuvendit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se legjislatura e fundit ka bërë shkeljet më të mëdha kushtetuese.
Ai ka theksuar se përveç shkeljeve kushtetuese, ka pasur edhe mungesë të thellë të transparencës, teksa ka shtuar se ka qenë për herë të parë një shumicë parlamentare me votat që t’i çojë në fund detyrat, por që nuk i ka kryer.
“Është legjislatura që ka shkeljet më masive në raport me kushtetutshmëri, në anën tjetër ka pasur mungesë të thellë të transparencës. Në vitin 2001 nëse hyn në uebfaqe të Kuvendit mund ta shohësh votimin që nuk ka votuar një deputet, sot nuk dihet në legjislaturën e tetë nuk dihet një deputet si ka votuar. Për herë të parë një shumicë parlamentare i ka pasur votat që t’i kryej detyrat e veta, nuk i ka kryer”, ka thënë ai.
Jakaj: Qeveria çdo muaj ua ndalë shërbyesve civilë mbi një milion euro
Monitoruesi i Kuvendit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, ka akuzuar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës se çdo muaj ua ndalin shërbyesve civilë mbi një milion euro.
Sipas Jakajt, këto dy institucione po shkelin Kushtetutën me moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për pagën në sektorin publik lidhur me dhënien e shtesave prej 0.5 për qind të pagës.
Ndonëse Kushtetuesja e ka obliguar Kuvendin ta miratojë ligjin deri më 1 gusht 2024, nuk është marrë asnjë iniciativë për këtë ndryshim.
“Kuvendi në këtë kohë vazhdon me shkelje kushtetuese të moszbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për pagën në sektorin publik sepse me një vendim të Qeverisë së Kosovës dhe me një ligj në vitin 2015 është njohur përvoja e punës 0.5 për qind për vit për secilin shërbyes publik në Kosovë. Çka ka bërë Qeveria e tanishme me ligjin, e ka zvogëluar ose e ka ndarë, e ka kategorizuar për 15 vjetët e para në 0.25, në ndërkohë përtej 15 vjetësh edhe për 0.5 për qind. Gjykata e ka rrëzuar këtë dhe i ka kërkuar Kuvendit që brenda gjashtë muajsh prej 1 shkurt 2024 deri më 1 gusht t’i bëjë ndryshimet. Asnjë iniciativë as nga Qeveria, as nga Kuvendi, por këtu ka përgjegjësi edhe opozita sepse janë me kërkesë të Gjykatës Kushtetuese janë vetëm dy nene që do të duhej të ndryshoheshin në mënyrë që të mos cenoheshin të drejtat e shërbyesve civilë. Aktualisht Kuvendi dhe Qeveria ua ndal ose nuk ua transferon 84 mijë shërbyesve civilë mbi 1 milion euro në muaj. Një pjese të madhe të këtyre shërbyesve civilë nuk u dalin 24 euro në muaj”, ka thënë ai.
Baraliu: Efikasiteti i kësaj legjislature, më pak se pak

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se efikasiteti i kësaj legjislature ka qenë më pak se pak.
Bazuar në miratimin e ligjeve dhe në formën se si janë miratuar ato, sipas Baraliut ka pasur efikasitet diku rreth 30 apo 40 për qind.
Duke përmendur raste të caktuara, Baraliu ka thënë se ka pasur ligje që janë miratuar me procedura të përshpejtuara dhe pa debat publik.
“Asnjë nga legjislaturat e këtyre viteve ose e mandateve nuk kanë qenë efikase, nuk kanë qenë sa duhet të përgjegjshme, nuk kanë qenë sa duhet në nivel të detyrës sa i përket profesionalizmit dhe përkushtimit në analizën e ligjeve apo çështjeve të ndryshme qoftë në komisione, qoftë në seancat plenare. Shpeshherë në këtë qeverisjen e fundit, por edhe më herët ka ndodhur që është bojkotuar kryesisht nga opozita, por edhe nga pozita pastaj thjeshtë komisionet kanë qenë jo sa duhet konsensuale. Kemi pasur raste kur edhe janë bërë lëshime procedurale në relacion me rregulloren. Vetë Rregullorja e Kuvendit që ka pritur diku mbi 10 vjet është miratuar shumë shpejt dhe pa u përpunuar mirë, në një mënyrë apo tjetrën ngjashëm me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku interesi i subjekteve politike parlamentare ka qenë i tillë i përafruar dhe me procedura të përshpejtuara dhe pa debat publik të duhur janë miratuar. Mes 30 dhe 40 për qind efikasiteti i legjislaturës ka qenë më pak se pak, mos të flasim për cilësinë e atyre ligjeve që në nguti (v.j. janë miratuar) e pa prani të mundësisë së debatit”, ka thënë ai.