Arbëri

Musa beson se rasti "Subvencionet 1" kthehet në rigjykim

Skender Musa

Avokati Skender Musa ka thënë se ka pasur shkelje të rënda procedurale gjatë procesit gjyqësor “Subvencionet 1” dhe beson se rasti do të kthehet në rigjykim.

Gjykata Themelore e Prishtinës të enjten ka shpallur aktgjykimin në rastin “Subvencionet 1”. 37 vjet burgim e 171 mijë euro gjobë janë dhënë ndaj 11 të akuzuarve në rastin për mashtrim me subvencione. 

Musa, avokat i zyrtarit Sadat Shkodra që u dënua me 6 vjet burgim, në “Interaktiv” të KTV-së e ka quajtur dënimin e padrejtë. 

“...30 procese gjyqësore gjatë 3 vjetëve ka pasur shkelje që ne si avokat kemi mundësi t’i godasim. Besojmë se rasti kthehet në rigjykim”, ka thënë Musa. “Po flasim për shkelje absolute që vendimin e kthejnë në rigjykim”. 

Musa ka thënë se klienti i tij Shkodra kishte rol teknik administrativ, dhe nuk ishte vendimmarrës. 

“Tjetërkush ka vendosur për subvencione, tjetërkush ka kompletuar dosjen, ai ka qenë ekzekutues i pagesave. Puna e tij e vetme ka qenë të kontrollojë dosjen a është kompletuar me numra rendor. Ishte tërësisht teknike administrative e jo vendimmarrëse. S’ka pasur dorë në vendimmarrje në asnjë rast. E kemi dëshmuar këtë edhe para gjykatës”, tha Musa.  

Musa ka thënë se janë bërë shkelje të shumta gjatë hetimeve dhe se nuk kishte pritur dënime të tilla. 

“Gjatë hetimeve ka pasur shkelje të vazhdueshme. Edhe personat e përfshirë në hetime, sipas informatave që kemi marrë nga mjetet e informimit por edhe nga vetë personat që i mbrojmë, janë shpërblyer nga Ministria e Bujqësisë dhe kjo lë për të dyshuar se gjatë fazës së hetimeve qysh në polici ka pasur ndërhyrje të njerëzve që kanë përfituar privilegje”, ka thënë Musa. “Personat në paraburgim po ashtu janë bërë dëshmitar bashkëpunues, e u është ndërprerë menjëherë masa e paraburgimit, që është favorizuar më tepër se që e parasheh ligji”.