Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka thënë se është vërejtur përmirësim i dukshëm i pagesës së tatimeve nga ana e këngëtarëve në gjashtë muajt e fundit.
Ai ka thënë se në pagesën e tatimeve nga kjo kategori për gjysmë viti ka përmirësim për rreth 30 për qind.
“Kemi tetë plane specifike për sektorë të caktuar që sistemi ynë elektronik i identifikon si sektorë me rreziqe potenciale në shmangien tatimore. Ndër këta sektorë janë edhe gastronomia dhe këngëtarët që trajtohen me plan të veçantë pasi që në periudha të caktuara, siç është sezoni veror, ka një aktivitet të shtuar dhe ka tendenca për shmangie tatimore. Rezultatet që i kemi pasur në të kaluarën kanë dëshmuar që ka një hendek të konsiderueshëm të shmangies tatimore nga kjo kategori, ndërsa rezultatet pasuese nga 2021-ta e këndej tregojnë se ka një përmirësim të dukshëm të qarkullimit të të hyrave që i raportojnë dhe pagesën e tatimeve. Në periudhën gjashtëmujore të këtij viti këngëtarët patën një përmirësim për 30 për qind të pagesës së tatimeve, nga 1.2 milionë euro në 1.6 milionë euro, ndërsa nëse shohim ndër vite, më 2021 kishim rreth 900 mijë euro nga kjo kategori, ndërsa tani kemi vetëm për gjashtë muaj 1.6 milionë, që i bie se ka një përmirësim të dukshëm”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
Murtezaj ka thënë se shmangia e madhe e pagesës së tatimeve që është vërejtur në të kaluarën nga kjo kategori, nuk mund të vërehet tani në të dhënat nga analizat e riskut.
“Si kategori e tatimpaguesve indikatorët tanë, të dhënat tona nga analizat e riskut, tregojnë se (këngëtarët dhe gastronomia) kanë pasur shmangie të madhe në të kaluarën. Ka një përmirësim të konsiderueshëm të deklarimit dhe pagesës nga ana e këtyre tatimpaguesve. Ka biznese të gastronomisë, një masë e të cilëve vazhdojnë të mos lëshojnë kuponë fiskalë. Kemi pasur dy-tri rastet e para këto ditë që jemi obliguar t’i mbyllim për shtatë ditë”, ka shtuar ai.
Drejtori i ATK-së ka shtuar se ky institucion po vazhdon përpjekjet për shtrirje në pjesën veriore të vendit, sikurse në pjesën tjetër të Kosovës.
“Pjesa veriore është një lloj sfide vendore për të gjitha institucionet. Ne kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që të kemi shtrirje dhe shtrirje kemi pasur, se sa ka qenë e mjaftueshme normalisht që jo vetëm në pjesën veriore por edhe këtej ka informalitet, ka rënë dukshëm megjithatë ka ende. Në pjesën veriore ka pasur tatimpagues nga komuniteti serb që kanë qenë të regjistruar, kanë deklaruar dhe paguar tatime, mirëpo ka pasur edhe të atillë që kanë qenë të paregjistruar. Kohët e fundit është vërejtur një përmirësim”, ka thënë ai.