Arbëri

Murseli i LDK-së: Hyseni i ftonte njëanshëm seancat për buxhet, na u pamundësua të marrim pjesë në planifikim

Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Komunën e Gjilanit, Gentrit Murseli, e ka akuzuar kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për mungesë të koordinimit me opozitën sa i përket hartimit të draftit të buxhetit e gjithashtu caktimit të seancës së Kuvendit komunal për ta votuar buxhetin. 

Murseli në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se para dy ditësh një pjesë e anëtarëve të Kuvendit, kryesisht nga LDK-ja dhe PDK-ja, e kanë nënshkruar një kërkesë që të organizohet një seancë e jashtëzakonshme për ta diskutuar, debatuar e miratuar buxhetin e Gjilanit për vitin 2025.

Megjithëkëtë ai ka thënë se Hyseni ka ftuar njëanshëm seanca. 

“Kryetari i Komunës pa një bashkëpunim dhe koordinim me subjektet politike që janë shumicë në kuvend, ka vazhduar të ftojë njëanshëm seanca të jashtëzakonshme, njëjtë veproi edhe sot duke e ftuar seancën nëpërmjet administratës në orën 16:00. Mirëpo në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa, ne shumica në Kuvend, jemi dakorduar që seanca të mbahet siç është planifikuar – nesër në orën 10:00. Në anën tjetër, kryetari i Komunës ka pasur tentativa të njëpasnjëshme pa koordinim me grupet tjera politike në kuvend. E ka anuluar seancën e thirrur nga vetë ai, që i bie se ka reflektuar dhe ka pranuar që nesër të vijë në seancë në orën 10:00”, është shprehur Murseli. 

Ai ka thënë se as qytetarët e as anëtarët e Kuvendit, nuk kanë marrë pjesë në planifikim të buxhetit. 
Sipas tij 99 për qind e draftit të buxhetit është hartuar nga vetë Hyseni. 

“Si anëtarë i Kuvendit po e them se neve na është pamundësuar që dhënë kontribut dhe të marrim pjesë në planifikim të buxhetit ... Kryetari i Komunës nuk i ka përfillur, e ka anashkaluar tërësisht Kuvendin e Komunës, nuk ka lejuar që të marrë pjesë në organizimin e dëgjimeve buxhetore, në gusht të vitit 2024, vetëm përmes Drejtorisë për Buxhet dhe Financa i ka organizuar për tri ditë 14 dëgjime buxhetore, asnjë nuk është mbajtur në lagje të qytetit, asnjë nuk është mbajtur në ndonjë fashat edhe pse mbi 40 për qind e qytetarëve jetojnë në fshatra, ka qenë vetëm një dëgjim buxhetor për të gjithë qytetarët e fshatrave në sallën e Kuvendit që i ka 25 ulëse”, është shprehur Murseli.

Ai ka thënë se më herët Hyseni i ka kërcënuar që do ta shpërbëjë Kuvendin nëse nuk e votojnë buxhetin

Murseli ka theksuar se edhe pse opozita e ka votuar buxhetin e vitit 2024, dy projektet që i kanë kërkuar ata, nuk janë realizuar. 

Ai e ka akuzuar Hysenin për mosrealizim të investimeve kapitale.

“Kryetari i Komunës ka dështuar në realizmin e investimeve kapitale në Gjilan, çka është më e keqja kemi edhe suficit, ende se kemi vlerën, por një shumë e madhe e mjeteve ka mbetur në suficit”, ka deklaruar Murseli.