Konfront

Murati: Qeveria ka nënshkruar mbi 900 mln € marrëveshje ndërkombëtare, prej tyre 400 grante

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se për projekte zhvillimore sigurisht se duhet të merren kredi e borxhe. 

Ai ka thënë se Qeveria Kurti që nga marrja e mandatit e deri tash ka nënshkruar 900 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare, prej të cilave sipas tij, mbi 400 janë grante. 

Ai ka numëruar disa prej projekteve. 

“Nuk është se nuk ka investime. Si Qeveri kemi nënshkruar mbi 900 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare, mbi 400 prej tyre janë grante. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Sot në Qeveri e miratuam projektligjin për ratifikim të marrëveshjes për impiantin e ujërave të zezë në Ferizaj në vlerë 20 milionë euro me BERZH-in. 10 milionë do të synojmë t’i marrim grant. Kemi pasur projektin parkun fotovoltaik në KEK, 100 milionë euro. Kemi projekt me MCC 236 milionë euro që është bashkëfinancim, që shumica është grant i MCC-së”, ka thënë Murati në “Konfront”. 


Murati: Kushtetuesja e rrëzoi Ligjin për çmimet tavan me argumente të kota

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese duke thënë se e ka rrëzuar ligjin për çmimet tavan me “argumente të kota”. 

Murati në emisionin “Konfront” të KTV-së ka akuzuar opozitën se dërgoi në Kushtetuese ligjin për çmime tavan e po ashtu ligjin për pagën minimale. 

“Ligji për çmimet tavan synonte të vendoste tavan të marzhës së fitimit, jo me punu me humbje biznesi, por të caktonte marzhën e fitimit e të mos fitojnë më tepër se sa duhet në kohë krize. E çoi opozita në Kushtetuese... Ligjin për çmime tavan e rrëzoi Kushtetuesja me argumente totalisht të kota, ndërsa ligjin për pagën minimale ende nuk kemi vendim”, ka thënë Murati. 

Ai ka thënë se “kushdo që ka argumentuar atë vendim të Kushtetueses, nuk ka të bëjë fare me mënyrën se si funksionon ekonomia”. Ai tha se mund të ketë vetëm njohuri bazike për ekonomi ai që ka argumentuar, por jo më tepër. 

“Në argumentimin e vendimit për ligjin e çmimit tavan thuhet se Kushtetuta e vendit tonë është një ekonomi e tregut të lirë apo e lirë e tregut, siç thoshte kryetarja e Kushtetueses. Mund të themi se jemi bërë më të djathtë edhe se SHBA-ja”, ka thënë Murati. 

Ai ka thënë se të gjitha vendet kanë çmime tavan, vetëm Kosova “po del të jetë në ekstremin e djathtë të spektrit ekonomik”. 

Murati ka thënë se vendimi i Kushtetueses bie në kundërshtim me vendimin për Ligjin e pagave. 

“Kur vjen te ligji i pagave, ku preken vetë ata gjyqtarë, ata hynë dhe ndërhynë në ekonomi. Paga është kompensim, është çmimi që i vendoset punës, kompensim për punën e bërë. Paga rregullohet sipas tregut...Por, Kushtetuesja thotë se paga është pronë, madje thirret në nenin 46 të Kushtetutës që flet për pronë të paluajtshme. Argumentohet se paga s’duhet të ulet se është pronë. Kur ju duhet atyre thirren në nen që nuk ka të bëjë fare me pagën”, ka thënë Murati. 

 


Murati: Pos Shqipërisë, Kosova e pati inflacionin më të ulët në rajon më 2023

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se përveç Shqipërisë, Kosova ka pasur inflacionin më të ulët në rajon gjatë vitit të kaluar.

Të martën në “Konfront” të KTV-së, Murati ka thënë se Shqipëria pati inflacionin më të ulët për shkak të kursit valutor. 

“Inflacion nuk ka pasur vetëm Republika e Kosovës, i tërë rajoni ka qenë i përfshirë në inflacion, madje kam këtu një grafikon. Me përjashtim të Republikës së Shqipërisë që ka inflacion më të ulët dhe kjo kryesisht vjen për shkak të kursit valutor, jo për shkak të masave. Më pas është Republika e Kosovës e tutje shtetet tjera me radhë”, ka thënë ai. 

Sipas Muratit, inflacioni nuk e ka prekur vendin për shkak të Qeverisë, por është importuar për disa arsye. 

“’Boomi’ postpandemik i rritjes së kërkesës përtej asaj që ka qenë në ofertë, pra ka qenë një shtrëngim i kushteve të tregut, gjë që ka vendosur presion për çmimet për lart. E dyta ka qenë problem Kanali i Suezit, një bllokadë disa ditore e disajavore që ka shkaktuar ngecje e zvarritje dhe një presion mbi çmimet e larta. Dhe e treta ka qenë lufta në Ukrainë, kapaku i të gjithave, duke shkaktuar çrregullime, qoftë në tregun energjetik, apo edhe në produktet bazë si vaji, gruri dhe mielli”, ka thënë ai.