Arbëri

Murati fajëson qeveritë e kaluara për funksionim të deritashëm të bankës së mbyllur në veri

Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati

Foto: Alban Bujari

Mbylljen e institucioneve ilegale në veri të Kosovës, në vitin e tretë të mandatit, ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka relativizuar me lejimin e funksionimit të tyre. Një ditë pas aksionit të Policisë së Kosovës ndaj filialeve të Bankës Postare Kursimtare, Murati ka thënë se duhet kërkuar përgjegjësi pse është lejuar hapja e veprimtaria e tyre, pasi parandalimi do të ishte më i lehtë se që ishte mbyllja e tyre

Përgjegjësinë për funksionimin e institucioneve financiare ilegale në Kosovë, ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka vënë te qeverisjet e kaluara. Pyetjes pse në këto institucione nuk është ndërhyrë deri më tash, ministri Murati i është përgjigjur me rekomandimin që ajo të shtrohet ndryshe e në adresë tjetër.

Bazuar në informacionet e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, Murati ka thënë se zyrat e Bankës Postare Kursimore në veri janë hapur gjashtë vjet më parë. 

“Unë konsideroj që pyetja e duhur që duhet të shtohet është pse janë lejuar në vitin 2018 të hapen, sepse qysh atëherë është dashur të merreshin hapat që të mos lejohet një gjë e tillë. Normalisht situatë e re e krijuar pastaj krijon shumë më tepër energji për t`u zhbërë sesa parandalimi. Parandalimi çdoherë është më i lehtë. Pra duhet të shtrohet pyetja për personat që kanë qenë përgjegjës në qeverisje në vitin 2018, qoftë në BQK, në Ministrinë e Financave apo në organet e tjera të rendit pse është lejuar që të hapen institucione të paligjshme dhe të operojnë pa licencë pa treguar se kush janë përfituesit fundorë dhe ku shkojnë mjetet kesh”, ka thënë ai.

Të hënën Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës kanë mbyllur gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore në katër komunat veriore, e gjatë aksionit u sekuestruan rreth 1.6 milionë euro, mbi 74 milionë dinarë (rreth 630 mijë euro), rreth 19.500 franga zvicerane, rreth 13.800 dollarë amerikanë e rreth 40 dollarë australianë. 

Sipas ministrit të Financave, ky institucion financiar ka zhvilluar aktivitete pa licencë përkatëse. 

“Ka pasur dyshim të bazuar që po zhvillohet aktivitet financiar në kundërshtim me ligjin pavarësisht destinimit të mjeteve. Destinimi i mjeteve pastaj është hapi i dytë për të cilin besoj që edhe organet e rendit, edhe prokuroria kanë siguruar apo do të sigurojnë provat e mjaftueshme për ku kanë qenë mjetet e dedikuara, sepse edhe kur ka aktivitet të ligjshëm financiar, edhe po të kishte licencë duhet të sigurohemi që të dihet kush janë përfituesit dhe mjetet të shfrytëzohen për qëllime të ligjshme”, ka thënë ai.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, ministri Murati ka folur edhe për projektet e reformat që do të realizohen në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, e që kap vlerën prej 6 miliardë eurosh.

Katër miliardë do të ndahen në formë të kredive me interes të ulët e dy miliardë grante.

Prej tyre 950 milionë euro pritet të jenë të dedikuara për Kosovën. Ministri Murati fillimisht ka thënë se nuk ka kushte për përfitim financiar nga BE-ja e më pas ka pranuar që ato janë të kushtëzuara me normalizimin e raporteve me Serbinë.

“Kushtëzimet apo kriteret e Planit të Rritjes janë bazuar në reforma. Secila reformë e ka koston apo çmimin e vet. Në momentin që llogaritet e përfunduar, pra dorëzohet në çdo rishikim gjysmëvjetor që do të ndodhë gjatë viteve të ardhshme. Republika e Kosovës dorëzon raportin me reformat e përmbushura pastaj kemi edhe çlirimin e atyre mjeteve përkatëse sipas reformave që janë zbatuar dhe mund të vihen në dispozicion të Qeverisë për t`i shfrytëzuar”, ka thënë ministri.

E sa i përket kushtëzimit të përfitimeve nga plani i rritjes me normalizimin e raporteve, ka thënë se realizimi i reformave drejt integrimit evropian do të vazhdohet edhe në mungesë të përkrahjes nga BE-ja. 

“Ne jemi të përkushtuar që ato reforma t`i zbatojmë, sepse jemi të përcaktuar për vlera evropiane dhe për konvergjim drejt BE-së pavarësisht shpërblimit financiar. Shpërblimi financiar është shtesë dhe komplement që normalisht e ndihmon procesin por ne kemi qenë të përkushtuar si partner i BE dhe shtet që synon integrimin evropian”, ka thënë ai.

Qeveria ndan 300 mijë euro për projektin e ngecur shkaku i masave të BE-së

E derisa 950 milionë euro të këtij plani janë të kushtëzuara me angazhim konstruktiv në normalizim të marrëdhënieve, miliona të tjera janë të bllokuara shkaku i masave të BE-së ndaj Kosovës. 

Ministria për Kthim dhe Komunitete është një nga institucionet e prekura e në mënyrë që njëri prej projekteve të mos ngecë në realizim, kabineti qeveritar miratoi ndarjen e 300 mijë eurove të martën.

Ministri Murati tha se këto mjete janë pjesa që duhet të paguajë Kosova, e do të mundësojë vazhdimin e projektit përmes marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve te Bashkuara. 

“Do të thotë një veprim nga BE-ja që ka qenë gjoja për shtensionim të situatës në vendbanimet që banohet nga komunitete joshumicë ka rezultuar në dëmtim të interesave të komunitetit joshumicë.

Megjithatë për shkak që kemi vlerësuar kërkesën e ministrit Nenad Rashiq, si Ministri e Financave kemi proceduar dhe kemi marrë vendim që këto mjete të ndahen, pra të mos e presim BE-në derisa t`i heqë masat, por ne si qeveri të paguajmë pjesën tonë në mënyrë që projekti të vazhdojë”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, të zhvilluar të martën, mes tjerash është miratuar nisma për marrëveshje me Turqinë në lidhje me sigurimet sociale e janë shpronësuar edhe disa prona.

Vendime të tjera të Qeverisë

Në lidhje me marrëveshjen me Turqinë, ministri i Financave ka thënë se qytetarëve që kanë punuar në Turqi apo Kosovë do t’ju mundësohet që t`i bashkojnë periudhat e kontributeve apo edhe të eksportojnë pensionin e kontributet që marrin. 

“Kur themi eksportojnë pensionin nënkuptohet që dikush që ka punuar në Republikën e Turqisë vendos të jetë në Republikën e Kosovës, mund ta marrë pensionin me vete apo anasjelltas.

Pavarësisht vendit ku jeton e merr pensionin prej aty ku ka dhënë kontributet dhe punuar”, ka thënë ai.

“Është tepër e mirë dhe e rëndësishme për të dyja shtetet, pasi mundëson edhe shkëmbimin e informatave. Ka pas raste kur njerëz apo qytetarë që kanë dyshtetësi kanë shfrytëzuar vakuumin dhe mungesën e këtyre marrëveshjeve për të përfituar nga të dyja vendet, edhe nga Republika e Kosovës edhe nga Republika e Turqisë dhe me unifikimin e këtij sistemi mundësohet shkëmbimi i të dhënave dhe informative, ashtu që të ketë edhe drejtë në përfitimin e pensioneve, por në anën tjetër të ketë edhe trajtim të dinjitetshëm për dikë që ka punuar në të dyja shtetet apo në njërin shtet dhe vendos që të zhvendoset”, ka thënë Murati.

Qeveria ka miratuar edhe projektligjin për ratifikimin e amendamentimit nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2016, përmes së cilës bëhet zgjatja e afatit për zbatimin e programit vjetor IPA 2016 edhe për dy vjet shtesë me qëllim të zbatimit të projekteve që janë ballafaquar me vonesa. Po ashtu është aprovuar Rregullorja e punës së Qeverisë, Raporti për vlerësimin ex-post të Ligjit për Kundërvajtje. 

Dy milionë e 870 mijë euro janë ndarë për Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për mbështetjen e 25 projekteve kapitale në 25 komuna, e 200 mijë euro për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për realizimin e projektit përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Mjete janë ndarë edhe për Fondin Kosovar-Amerikan për Arsim. Me qëllim të, siç është thënë, promovimit të vendit, për këtë fond janë ndarë 100 mijë euro.

Ndërkohë shpronësimet e pronave janë bërë për disa projekte, siç është ai për ndërtimin e Qendrës së Paraburgimit dhe Institucionit Korrektues në Prizren, për ndërtimin e rrugës rajonale Cerkolez-Rakosh në Istog, e për konservimin, restaurimin e ndërtimin e kompleksit memorial “Masakra e Reçakut” në Shtime.

Po ashtu përmes vendimit të Qeverisë është shpërbërë ndërmarrja publike qendrore “Ndërmarrja e re energjetike e Kosovës”. 


Murati pas reagimit të DASH-it për aksionin në veri: Çdo veprim i bazuar mbi ligjshmërinë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, ka folur për aksionin e Policisë në veri të Kosovës ku u mbyllën 6 njësi të Bankës Postare Kursimore dhe u konfiskuan 1.6 milionë euro e mbi 74 milionë dinarë. 

Murati ka thënë se ka pasur dyshim të bazuar që atje po zhvillohet aktivitet financiar në kundërshtim me ligjin.

Ai ka komentuar edhe reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas të cilit aksioni në veri ishte i pakoordinuar dhe që përshkallëzon tensionet. Murati ka thënë se nuk është në dijeni për detajet e reagimit, por se sipas tij çdo veprim në veri ishte i bazuar mbi ligjshmërinë. 

“Për reagimin e DASH nuk jam në dijeni për detajet megjithatë çdo veprim është i bazuar mbi ligjshmërinë”, është shprehur Murati.