Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, ka thënë se Serbia nuk duhet ta njohë Kosovën që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Sipas tij, kusht për Serbinë është normalizimi i marrëdhënieve. Deklarata nxiti reagime edhe në Qeverinë e Kosovës. Ministri Hekuran Murati, theksoi se normalizimi i raporteve me Serbinë, vie veç me njohje të ndërsjellë
Serbia nuk do të kushtëzohet me njohjen formale të Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ka thënë ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill.
Në një intervistë për “NIN”, Hill u shpreh se Serbisë është duke iu kërkuar vetëm normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.
“Mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka vende anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja, e rëndësishme, është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë, kufij që i bashkojnë ata realisht”, ka thënë ambasadori Hill.
Deri kur nisi agresioni rus në Ukrainë, faktori ndërkombëtar ka insistuar që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese. Por, menjëherë pas agresionit insistuan në një marrëveshje të shpejtë, të propozuar fillimisht nga Gjermania dhe Franca. Marrëveshja që u arrit vitin e shkuar, por që nuk ka gjetur zbatim ende, nuk e ka përbrenda elementin e njohjes de-jure, por ajo është interpretuar si njohje de-facto.
Pas deklaratës së ambasadorit Hill, minsitri i financave në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve arrihet veç me njohje reciproke.
“Ne si Republikë e Kosovës përmes përfaqësuesit tonë në dialog jemi të përkushtuar që përmes dialogut në Bruksel të arrijmë në marrëveshje që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjen e ndërsjellë, por kjo është vetëm në raport me Serbinë. Sa i përket çështjeve të tjera dhe forcimit të subjektivitetit të Kosovës ne vazhdojmë punën”.
Ambasadori Hill, në intervistën për “NIN” ka folur edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Ka thënë, se pret që do të ketë gjykim dhe “njëfarë përgjegjësie” për sulmin, nga i cili mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Kosova dhe Serbia kanë pranuar planin e BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Aneksi i zbatimit të Marrëveshjes Bazë, specifikon se të gjitha nenet e marrëveshjes duhet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, dhe se Kosova dhe Serbia nuk do ta bllokojnë zbatimin e asnjë neni dhe se mosrespektimi i detyrimeve mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.