Ministri i Financave, Hekuran Murati ka paraqitur një grafikon për mallin e kontrabanduar përgjatë viteve e që sipas tij, tri vjetëve të fundit është parandaluar.
Ai ka shkruar në Facebook se nga 2008-a e këtej, del se malli potencialisht i kontrabanduar sipas të dhënave të paraqitura në grafikon, kap vlerën e 7.94 miliardë eurove.
Sipas tij, nëse ky mall nuk do të lejohej si kontrabandë, por do të deklarohej i tëri siç bëhet tani, vetëm TVSH-ja e mbledhur do të arrinte në 1.4 miliardë euro.
Me këtë rast, ai i ka akuzuar qeverisjet e kaluara për vjedhje të buxhetit.
“Nëse në vitin 2015 importi i deklaruar në Doganë ka qenë 2.63 miliardë euro, gjasat janë që importi real ka qenë shumë më i lartë. Nëse e llogarisim me trendin e njëjtë sikurse në vitet 2021-2023, me 61% të BPV-së, importi real del të ketë qenë rreth 3.46 miliardë. Kjo nënkupton që malli që ka hyrë kontrabandë në vitin 2015 ka qenë rreth 0.83 miliardë (3.46-2.63), apo saktësisht 827 milionë euro, siç edhe mund të shihet te grafikoni me ngjyrë të gjelbër. Kur mblidhen të gjitha vitet nga 2008 e këtej, del se malli potencialisht i kontrabanduar sipas të dhënave të paraqitura në grafikon, kap vlerën e 7.94 miliardë eurove. Nëse ky mall nuk do të lejohej si kontrabandë, por do të deklarohej i tëri siç bëhet tani, vetëm TVSH-ja e mbledhur do të arrinte në 1.4 miliardë euro. E mos të flasim për tarifat doganore dhe akcizën, që me shumë gjasë një pjesë e madhe e këtij malli mund të ketë qenë mall akcizor”, ka thënë Murati.
Sipas tij, në periudhën 2008-2011, vërehet se ka nivel relativisht të ulët të kontrabandës. Dhe pastaj në vitin 2012 ka pasur rritje e përnjëhershme.
“Në vitin 2013 pastaj ka kapërcim edhe më të madh të nivelit të kontrabandës. Kjo përkon saktësisht me marrëveshjen e Brukselit për formimin e asociacionit, dhe shtruarjen e rrugës që pjesa veriore e vendit të lihej si vrimë e zezë. Në këtë marrëveshje, përkundër këshillave nga partnerët ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës ishte dakorduar që ta shkatërronte parimin e Llogarisë së Vetme të Thesarit, duke pranuar që të hyrat nga pikat kufitare 1 dhe 31 të ndaheshin nga pjesa tjetër e buxhetit, dhe të dedikoheshin vetëm për 4 komunat e veriut të vendit. Kjo ishte planifikuar që të funksiononte si mekanizëm për financimin e asociacionit, por që në fakt u shndërrua në mekanizëm të zhvatjes e vjedhjes së buxhetit, sepse duke pasur kontroll të papenguar në pjesën veriore të vendit, strukturat kriminale atje, në bashkëpunim me strukturat kriminale në jug të lumit Ibër, e kthyen atë zonë në vrimë të zezë për ekonominë dhe buxhetin e vendit, duke zhvilluar kontrabandë, kultivuar drogë, e mihur kriptovaluta. E strukturat kriminale në veri liheshin të papenguara, sepse në fund të vitit 2014 Lista Serbe u bë pjesë e Qeverisë, dhe meqë qeveritë vareshin nga votat e tyre, Lista Serbe u bë faktor përcaktues për kastën e vjetër në politikën e vendit. Ky efekt vërehet edhe në grafikon, ku pas hyrjes së Listës Serbe në Qeveri, në vitin 2015 e këtej kemi rritjen e kontrabandës në nivele enorme”, ka shtuar ai.
Bajrami për Muratin: Manipuluesi më i madh i Qeverisë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas akuzave që i bëri ish-pushtetit, ministri i Financave, Hekuran Murati, për vjedhje të buxhetit.
Ajo ka thënë se Murati po e paraqet inflacionin në qeverinë e tij si luftë kundër kontrabandës.
Ajo tutje e ka quajtur Muratin manipuluesi më i madh i Qeverisë.
“Ku kemi rënë, një shoqëri po trajtohet si analfabetë. Sot manipuluesi më i madh i Qeverisë paska folur për luftën kundër kontrabandës. Kush po flet, Hekurani, ministri i cili për katër vjet s’ka qenë në gjendje ta zgjedhë një drejtor kredibil të Administratës Tatimore të Kosovës. Ministri, i cili që dy vjet e gjysmë e mban jashtëligjshëm pa mandat në ATK drejtorin e zgjedhur nga Qeveria e PAN-it”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Ajo ka shtuar se supozimi që importi duhet të jetë 61% e Bruto Produktit Vendor nuk ka kurrfarë baze.
“Rritja e konsumit prej importit që ministri e bënë duke krahasuar vlerat absolute, sepse kështu i leverdisë po harron se vjen si rezultat i rritjes se çmimeve gjatë katër viteve të fundit. Kjo veç luftë kundër kontrabandës nuk është. Hekuran, në vitin 2015 nuk ka pasur inflacion (rritje të çmimeve) ka pasur deflacion (rënie të çmimeve) për -0.54%, ndërsa inflacioni (rritja mesatare e çmimeve) në vitin 2022 ka qenë 11.6%”, ka shtuar ajo.