Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, që të dielën tha se Qeveria Kurti pos kompanitë, s’e ka ndihmuar asnjë kategori tjetër.
Murati e quajti propagandë deklarimin e Hotit, duke u shprehur se “propaganda nuk kalon”.
Sipas Muratit, në periudhën kur Hoti ishte kryeministër ishin shpenzuar 70 milionë euro për mbështetje në pandemi, por sipas tij, paratë s’kishin shkuar të pensionistët, fëmijët apo punëtorët, “por te pronarët e bizneseve”
“Kur Avdullahu ishte Kryeministër në vitin 2020, 70 milionë euro i pati shpenzuar në emër të mbështetjes në pandemi, por ato para nuk patën shkuar as për pensionistë, as për fëmijë, e as për punëtorë madje. Përfitues të atyre 70 milionëve ishin pronarët e bizneseve, e ndër ta përfituesit më të mëdhenj ishin ata që në pandemi kishin fitimet më të mëdha – supermarketet”, ka shkruar Murati në Facebook.
Sipas Muratit, partia e Hotit po e vazhdon propagandën “me shpresë që nëse e përsërisin mjaftueshëm, ndoshta dikush fillon dhe e beson”.
“Kësaj radhe Avdullah Hoti paska thënë të pavërteta rreth buxhetit të vitit 2023. Po i njëjti raport të cilit po i referohet Avdullahu, tregon që kategoria buxhetore e pagave në sektorin publik në vitin 2023 është rritur për 114 milionë euro krahasuar me vitin paraprak, apo 17% rritje mesatare vjetore. Kur Avdullahu ka qenë Ministër i Financave, pagat i pati rritur për vetëm 4% në tërë mandatin, apo 15 euro për shumicën e shërbyesve publikë. Po i njëjti raport të cilit po i referohet Avdullahu, tregon që për pensionistët dhe për fëmijët, në vitin 2023 Qeveria Kurti ka ndarë 70 milionë euro shtesë, nga 100 euro për secilin. Kurse familjet në asistencë sociale për herë të parë janë mbështetur për blerjen e druve për ngrohje me 5 milionë euro...Propaganda nuk kalon”, është shprehur ministri i Financave.