Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar në mbledhjen e komisionit parlamentar për Arsim të premten, të dijë nëse Ymer Ymeri nga këshilli grevist ka ndonjë afrim me ndonjë parti, duke aluduar se për të është raportuar që është i afërt me subjekte të caktuara politike.
“Kisha disa pyetje për disa anëtarët sepse është raportuar se është i afërt me disa parti politike”, ka thënë Murati.
Mirëpo kryetarja e komisionit Albena Reshitaj e ka ndërprerë duke i kërkuar që të arsyetojë implikimet buxhetore për të arritur një marrëveshje me SBASHK-un.
Ndërkaq Ymer Ymeri nga SBASHK-u i përgjigjet që ka dalë në Vetëvendosje qe dy ditë.
“Qe dy ditë në Vetëvendosje”, ka thënë Ymeri.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati i është drejtuar ministrit Murati duke i thënë se ka ardhur në mbledhje si kalamaj i çerdhes.
Reagimi i tij ka ardhur pasi që ministri ka thënë nuk e di pse opozita po ndihet në siklet kur po i pyet nëse anëtarët e SBASHK-ut janë të afërt me subjekte politike.
Në mbledhjen e komisionit kanë ardhur edhe deputetë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj nuk po merr pjesë.