Shmangie të veprimeve të njëanshme e zgjidhje të problemeve përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, kanë kërkuar zyrtarë të lartë të NATO-së me rastin e ndërrimit të Komandës së KFOR-it. Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali Stuart B. Munsch tha se qeverive që veprojnë njëanshëm u zbehet edhe besimi në arenën ndërkombëtare.
Veprimet e njëanshme që kanë potencial t’i përshkallëzojnë tensionet e brendshme dhe rajonale, i janë përmendur Kosovës edhe me rastin e ndërrimit të komandës së KFOR-it nga gjeneralmajori Ozkan Ulutash te komandanti i ri Enrico Barduani.
Në ceremoninë ku morën pjesë presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali Stuart B. Munsch tha se çështjeve duhet dhënë zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi.
“NATO dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura. Të veprosh jashtë këtij dialogu, të veprosh pa përkushtim të vërtetë ndaj këtij dialogu ose të grindesh se çfarë duhet të përfshihet ose përjashtohet nga ky dialog, janë veprime që nuk do të arrijnë asnjë siguri kuptimplotë. Për më tepër, qeveritë që veprojnë në mënyrë të njëanshme jashtë këtij dialogu në mënyrë të panevojshme përshkallëzojnë tensionet e brendshme dhe rajonale, si dhe dëmtojnë në mënyrë të panevojshme reputacionin e tyre si partnerë ndërkombëtarë të besueshëm”, u shpreh Stuart B. Munsch.
Komandanti i deritanishëm i KFOR-it, Ulutash, i cili pati marrë komandën pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, tha se ka ende shumë sfida dhe tension në Kosovë.
“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin NATO dhe KFOR-i në terren e mbështesin plotësisht si kornizën e vetme për një zgjidhje të qëndrueshme të çështjeve, vazhdon të përballet me pengesa. Megjithatë Unë mbetem optimist se me këmbëngulje e durim dhe një qasje konstruktive nga të gjitha vendet, këto pengesa mund të kapërcehen. Gjatë mandatit tim, KFOR-i ka kontribuar me sukses në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në mbarë Kosovën, në përputhje me mandatin tonë të gjatë të OKB-së. Përmes një qëndrimi të dukshëm fleksibël dhe të adaptueshëm, ne kemi ndihmuar në parandalimin e rreziqeve, përshkallëzimit dhe situatave që mund të kishin quar në incidente ose paqëndrueshmëri”, tha Ulutash.
Pas pranimit të detyrës, komandanti i ri i KFOR-it Enrico Barduani foli për rëndësinë e unitetit në funksion të sigurisë.
“Pas 25 viteve të pranisë së NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka kontribuar në konsolidimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë. Megjithatë, sfidat mbeten dhe situata e sigurisë vazhdon të evoluojë – prandaj është jetike që ne të vazhdojmë të ecim përpara së bashku. Pikërisht në këtë frymë kam zgjedhur moton e mëposhtme latine për mandatin tim: ‘Unitas omnia vincit’ (fiton uniteti i të gjithë njerëzve). Uniteti është thelbësor nëse arrijmë misionin tonë”, deklaroi komandanti i ri i KFOR-it.
Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, presidentja Osmani ka nderuar me medalje ushtarake presidenciale gjeneralin Ulutash, për shërbimin si komandant i këtij misioni në Kosovë.