Prej më shumë se një muaji autoritetet nuk i kanë siguruar rezultatet për analizat e kontrastit me origjinë nga Kina, i cili ka shkaktuar reaksione te pacientët që e kanë përdorur. Për pasojë, në Klinikën e Radiologjisë kanë thënë se pacientët obligohen që ta blejnë këtë produkt
Kanë kaluar një muaj e dy javë prej kur Inspektorati Farmaceutik ka pezulluar përdorimin e kontrastit për procedura të ndryshme imazherike, pas paraqitjes së reaksioneve alergjike te disa pacientë.
Ndonëse ky produkt aktualisht ndodhet në stoqet e Barnatores Qendrore, pacientët detyrohen që ta blejnë në barnatore private.
Këtë e ka konfirmuar edhe Shkendije Nuza, drejtoreshë e Klinikës së Radiologjisë, në të cilën produkti gjen përdorim më së shpeshti. Ajo ka thënë se që nga 4 shkurti janë duke u pritur rezultatet.
“Nuk kemi përgjigje. Pacientët blejnë në mënyrë që, normal që nuk është e lehtë edhe për neve t’i themi dikujt ta blejë, por parimisht për momentin kjo është përgjigja që kemi, që nuk ka. Nuk na kanë kthyer ende përgjigje AKPM-ja apo edhe Inspektorati Farmaceutik. Nuk kemi përgjigje... Prej asnjërës përgjigje nuk kemi dhe jemi në pritje. Pacientët, siç e cekët edhe ju, gjithmonë janë duke e blerë, në mënyrë që ta marrin shërbimin, se pacientët nuk mund të mbesin pa shërbim”, ka theksuar Nuza.
Drejtoresha Nuza ka treguar për reaksionet që janë shfaqur te pacientët menjëherë pas marrjes së kontrastit, të cilit tani janë duke iu bërë analizat.
“Ka filluar me disa reaksione jo të zakonshme, për të cilën pacientët, kanë qenë reaksione të vona. Dhe njëkohësisht kanë filluar me ethe, me dridhje, me ndjenjën e vjelljes, disa edhe me vjellje, me atje, është përdorur edhe oksiogjenoterapia, është vendosur edhe oksigjeni te pacientët”, ka thënë ajo.
Në një përgjigje që në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) ia kanë dhënë KOHËS pas vendimit për pezullimin e përdorimi të produktit me origjinë nga Kina, thuhet se një nga analizat pritet të dalë shpejt.
“Për arsye të disa paqartësive kemi kërkuar informata shtesë dhe jemi në pritje të kompletimit të të gjitha të dhënave, këto vlejnë sa u përket analizave fiziko-kimike, ndërsa analiza mikrobiologjike (steriliteti) është në analizë e sipër dhe besojmë që në fund të kësaj jave apo në javën e ardhshme do të kemi një rezultat sa i përket këtij parametri”, kanë thënë në agjenci.
Përgjigjja është dhënë më 4 mars, ndërkaq që prej 8 ditësh KOHA ka kërkuar përsëri informata në AKPPM, porse nuk kanë ofruar përgjigje.
Përgjigje nuk ka dhënë as Inspektorati Farmaceutik.
Pavarësisht se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) më 25 nëntor të 2024-tës ka kontraktuar kompaninë “Liri-Med” për t’u furnizuar me kontrast për një periudhë tremujore, produkti ka munguar për më shumë se një muaj e gjysmë dhe tani është pezulluar përdorimi.