Dajaku masiv

Mungojnë Bislimi e Lushtaku, shtyhet seanca për përleshjen në Kuvend

Rrahje në Kuvend

Foto: Alban Bujari

Për shkak se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ishte në udhëtim zyrtar jashtë vendit dhe mungoi edhe deputeti Mergim Lushtaku, është shtyrë seanca fillestare të mërkurën në rastin ku Bislimi e Lushtaku bashkë me deputetët Hajdar Beqa dhe Bekim Haxhiu, akuzohen lidhur me rastin e përleshjes së ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, palët nuk ishin pajisur me shkresa të lëndës.

Kryetari i trupit gjykues, Eroll Gashi ka thënë se Bislimi ndodhet në një vizitë zyrtare jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka shtuar se i dëmtuari - ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nuk ka qenë i qasshëm.

Në seancë mungoi edhe Mergim Lushtaku, për të cilin mbrojtësi i tij, avokati Faton Fetahu, ka treguar se nuk mungon për arsye të angazhimeve në Kuvend, por për shkak të mosdërgimit të shkresave të lëndës, përfshirë edhe aktakuzën.

Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë.

Bislimi akuzohet se më 13 korrik 2023 ka përdorur dhunë fizike ndaj Lushtakut që i kishte hedhur ujë Bislimit. Bislimi akuzohet për “sulm”.

Edhe Lushtaku po ashtu akuzohet për “sulm” ndaj Bislimit.

E deputeti tjetër Hajdar Beqa akuzohet “për sulm” ndaj ministrit Hekuran Murati, por edhe se duke ia tërhequr syzat ka kryer veprën “asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.

Deputeti tjetër i PDK-së, Bekim Haxhiu, akuzohet për “lëndim të lehtë trupor” për goditjen ndaj Muratit./BetimipërDrejtësi