Agjenda legjislative

Mungesën e përkrahjes së deputetëve të vet, pushteti synon ta gjejë tek opozita

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje është në kërkim të votave në opozitë për përmbushjen e agjendës legjislative, ndonëse me deputetët aktualë pushteti ka numra të mjaftueshëm për t’i kaluar shumicën e projektligjeve. Monitorues të punës së Kuvendit bëjnë thirrje që unitetin Lëvizja Vetëvendosje fillimisht ta arrijë brenda grupit

Plot 66 projektligje në procedurë i janë grumbulluar aktualisht Kuvendit e që janë në pritje të marrin votën e deputetëve. 

Në mesin e tyre janë edhe 13 për marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 300 milionë euro që deri tash nuk kanë kaluar për shkak të mungesës së konsensusit politik pushtet - opozitë. 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër, Albin Kurti prej javës së kaluar ka bërë përpjekje për takime me partitë opozitare në funksion të përmbushjes së agjendës legjislative. Ka arritur të takohet me liderët e PDK-së, parti që të mërkurën ka njoftuar se në seancën e së enjtes do t’i votojë këto marrëveshje.

Por, përmbushja e agjendës, nuk vuan vetëm nga mungesa e votave të deputetëve opozitarë.

Hulumtues në organizata të shoqërisë civile thonë se një numër projektligjesh me rëndësi të veçantë, si ai për shëndet riprodhues e fertilizim të asistuar mjekësor dhe Projektkodi civil, mund të kalojnë edhe pa votat e opozitës, por mungon mirëkuptimi politik brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe përgjithësisht koalicionit qeveritar.

“Kur flasim për vota normalisht që Qeveria dhe pozita ka votat e mjaftueshme por një problematikë e madhe qëndron brenda vetë partisë ku disa deputetë të caktuar veçse janë deklaruar kundër votimit të këtyre projektligjeve”, ka thënë Tringa Dreshaj, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës.
E Viona Bunjaku, hulumtuese në Lëvizjen FOL, ka theksuar se pos sigurimit të mbështetjes së opozitës për projektligje e për marrëveshje ndërkombëtare, partia në pushtet duhet të mundohet të krijojë konsensus politik edhe brenda partiak.

“Konsensusi politik dhe vullneti politik normalisht që duhet të vijë pikërisht nga mazhoranca e të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka këtë mazhorancë, për shkak se ka fituar një përqindje të madhe të ulëseve brenda Kuvendit dhe normalisht se është detyrë e saj që të gjitha këto ligje që janë duke u bllokuar nga vetë deputetët e LVV duhet të gjejë një konsensus të përbashkët”, ka thënë ajo.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Dreshaj nga KDI-ja.

“Është shumë e rëndësishme ta theksojmë që për të vazhduar përpara me u shty krejt proceset të cilat i përkasin Kuvendit është shumë e rëndësishme që të ketë një konsensus brenda partive mirëpo edhe përbrenda vetë pozitës, në këtë stad kur flasim për partinë e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shtuar ajo.

Për shkak të mungesës së unitetit brenda partiak, përveç projektligjit për IVF-në, që nga marsi i 2022-tës ka dështuar edhe miratimi i Projektkodit civil, dhe prej atëherë Ministria e Drejtësisë nuk e ka dërguar asnjëherë në Kuvend. Për t’i kaluar këto projektligje, duhet shumicë e thjeshtë e votave, por pushteti nuk ka arritur t’i sigurojë ato, megjithëse numëron 64 deputetë.