Mungesat e shumta të deputetëve në seancat e Kuvendit të Kosovës, e kanë karakterizuar sesionin pranveror 2021 në këtë institucion, sipas KDI-së.
Agnesa Haxhiu nga KDI ka thënë se deputetët kanë munguar 414 herë në seanca.
“Janë mbajtur 23 seanca. Një problematikë janë mungesat e shumta të deputetëve në seanca që ndikon në punën e Kuvendit. Deri në fund të korrikut deputetët kanë munguar 414 herë. Ky sesion është shënuar me numër te vogël të ligjeve, vetëm 7 sosh për dallim nga 10 sa ishin vitin e kaluar në këtë periudhë”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka thënë se ka pasur ngritje të performancës në rolin mbikëqyrës përmes parashtrimit të pyetjeve të deputetëve në drejtim të qeverisë.
“Ka ngritje të përformancës në rolin mbikëqyrës përmes parashtrimit të 108 pyetjeve të deputetëve në drejtim të Qeverisë. Janë shënuar 31 raportime të ministrave në komisione, që krahasuar me periudhën e kaluar janë 8 raportime më shumë”.
Tutje u dha rekomandimi që Qeveria të ndërtojë qasje bashkëpunuese me opozitën për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe se mungesa e deputetëve duhet të adresohen përmes rregullores dhe të sanksionohen.