Edhe dhjetë vjet pas inaugurimit, objekti në të cilin ndahet drejtësi përballet me probleme infrastrukturore.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, ka thënë të enjten gjatë mbledhjes së Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës se mungesa e pranimit teknik e përbën problemin kryesor për objektin e Pallatit të Drejtësisë, për ngritjen e të cilit u patën investuar rreth 25 milionë euro.
“Me sa e di, Pallati nuk ka pasur asnjëherë pranim teknik, të paktën unë e kam këtë informacion, e që është diçka që nuk është normale. Një investim mbi 25 milionë, mos të ketë pranim teknik dhe afër 2 mijë persona të punojnë brenda objektit për mua nuk është normale”, është shprehur Rexhepi.
Krahas mungesës së pranimit teknik, kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, ka është ankuar edhe për siguri të ulët në objekt.
“Përveç kësaj gjendjeje alarmante fatkeqësisht, përveç hapësirave të jashtme dhe të brendshme, por edhe aspektit të sigurisë, që është më shqetësuese sidomos një aspekt që po e vërej kohën e fundit, nuk ka punëtorë të sigurimit, nuk shoh as njerëz kur hy, as kur dal”, ka theksuar ai.
E drejtori i sekretariatit të Këshillit Gjyqësor (KGJK), Shkelzen Maliqi, ka kritikuar nivelin qendror për “mungesën e fondeve për mirëmbajtjen teknike të objektit”.
“Te Pallati e kemi përmendur edhe disa herë në të kaluarën që do të përballemi me sfida shumë të mëdha për shkak të mirëmbajtjes teknike. Edhe sot që ka kontrata Ministria e Administratës Publike, gjendja është shumë e tmerrshme, e dimë të gjithë, për shkak të klimës, për shkak të temperaturave. Pallati ka me qenë sfida kryesore për secilin prej nesh”, ka thënë Maliqi.
Ankesa ka shprehur edhe kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj.
“Ne nuk kemi ambiente të përshtatshme për palët edhe për qytetarët edhe për monitoruesit, edhe për të gjithë. E vërteta është që ne kemi sfida dhe sfidë serioze do të jetë puna e Pallatit të Drejtësisë”, ka theksuar ai.
Në mbledhjen e së enjtes, drejtori i Sekretariatit të KGJK-së, Maliqi, ka thënë se investimet për renovim në kuadër të sistemit gjyqësor gjatë vitit 2024 kanë kaluar shifrën prej mbi 130 mijë euro ndërsa për inventar janë investuar mbi 164 mijë euro. Sipas tij, këto shifra janë të vogla krahasuar me nevojat.