Arbëri

Mungesa e mendimit kritik te studentët përcillet edhe me mungesë guximi për të kundërshtuar

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!

Universitetet publike nuk promovojnë mendimin kritik te studentët e kjo është përcjellë edhe me mungesë guximi për të denoncuar profesorët. Studentët ankohen se pasojë e kësaj është edhe mbytja e motivit për të luftuar për mirëqenien e tyre brenda ambienteve akademike. Njohës të arsimit thonë se problemi qëndron te sistemi parauniversitar, që nuk inkurajon të rinjtë të ndihen të lirshëm për t’i shprehur mendimet e tyre

Në hapësirat akademike, studentët nuk ndihen të lirë të shprehin mendimin e tyre e as ta mbrojnë integritetin e tyre kur ai u cenohet.

Ilir Kiçmari, i cili studion në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës – që është më i madhi publik në Kosovë – thotë se krahas mendimit kritik, mungon edhe aktivizmi i studentëve.

“Një pjesë e madhe nuk angazhohen në aktivizim të studentëve, nuk angazhohen për një komunitet më të mirë, nuk angazhohen për të drejtat e tyre dhe këtë e vërej si një mungesë të madhe, e cila ndodh në kampusin e Universitetit të Prishtinës. Më shumë sesa e cenojnë profesorët mendimin kritik është mungesa e mendimit kritik te studentët”, ka thënë Kiçmari.

Në nivel universiteti, studentët përfaqësohen nëpërmjet Parlamentit Studentor.

Kryetarja e Parlamentit Studentor të UP-së, Blerta Zeqiraj, thotë se kohanikëve të saj u mungon motivimi për të luftuar për mirëqenien e tyre brenda ambienteve akademike.

“Kemi marrë ankesa dhe problematika që i përmendët edhe ju, të cilat fatkeqësisht po ndodhin në universitet, si vonesa e profesorëve në ligjërata apo vonimi i notimit në SEMS, po ashtu bullizimi ndaj tyre… Është shumë problematike, pasi në momentin kur ne dëshirojmë të marrim një iniciativë, na pengojnë edhe studentët pasi nuk kanë guxim, dhe ne i kuptojmë, por po mundohemi që gjatë mandatit tonë t’i inkurajojmë që të mos hezitojnë të shprehen”, ka thënë Zeqiraj.

Parlamenti Studentor ka zhvilluar një pyetësor për guximin e studentëve për t’i shprehur shqetësimet e tyre para profesorëve.

Florent Ramusaj thotë se ka vërejtur mungesë guximi të studentëve për t’u deklaruar, meqë të gjithë kanë kërkuar të jenë anonimë.

“Një pikë që na ka tërhequr vëmendjen ka qenë edhe ankesa ndaj profesorëve ku i kemi marrë me dhjetëra ankesa ndaj profesorëve, të cilat për fat të keq kanë pasur kërkesë që të jenë anonime, që të mos kenë adresime direkte prej studentëve te profesorët, pasi kishin frikë se do t’u kundërvihen”, ka treguar Ramusaj.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Egzon Gashi, vlerëson se problemi qëndron te sistemi parauniversitar, që nuk inkurajon të rinjtë të ndihen të lirshëm për t’i shprehur mendimet e tyre.

“Besoj që është shumë e thjeshtë arsyeja që nuk e zhvillojnë mendimin kritik – është se nuk jepet mundësia ta zhvillojnë mendimin kritik. Mendimi kritik zhvillohet duke dyshuar, duke bërë pyetje, duke komunikuar. E nëse hyn në shkollat tona parauniversitare në shumicën e Kosovës dhe hyn në një klasë dhe i sheh mësimdhënësit duke folur, duke ligjëruar, dhe nuk u jepet mundësia as të përgjigjen, as të bëjnë pyetje”, ka theksuar Gashi.

E, profesori dhe sociologu Jeton Brajshori problematizon faktin se të rinjtë merren më shumë me gjëra individuale dhe jo me probleme të komunitetit.

“Në qoftë se i marrim vitet ‘90, situata ka qenë më ndryshe, për arsye të okupimit. Ne po ashtu e dimë që edhe demonstratat e ’81-s  dhe ’68-s, edhe të gjitha demonstratat kanë rrjedhur nga studentët, të cilët kanë pasur një motivim më ndryshe dhe një emocion më ndryshe për të bërë ndryshime. Ndërsa sot, tanimë ka ndryshuar dhe thjesht njerëzit janë duke u marrë me problemet dhe mësimet e tyre”, ka thënë Brajshori.

Sistemi arsimor që promovon mësimin mekanik dhe dekurajon mendimin kritik, është parë si faktor që ka ranguar keq Kosovën në testin ndërkombëtar Pisa. Rezultati i testit që vlerëson 15-vjeçarët në mbarë botën, ka treguar se nxënësit kosovarë janë prej më të dobëtëve në botë për zgjidhjen e detyrave të logjikshme.