Te Xhamia e Llapit, në sheshin “Nënë Tereza” e edhe në “Xorxh Bush”, janë vetëm disa nga vendet ku ka çezma publike në kryeqytet.
Edhe pse në numër të vogël, funksioni i tyre është i madh, sidomos tani që jemi në prag të stinës së verës e temperaturat e larta do të mbizotërojnë në vend.
Këto çezma janë burim freskie për shumë qytetarë të Prishtinës dhe jo vetëm.
Tash e një kohë të gjatë Komuna lëre më që nuk e ka shtuar numrin e tyre, mirëpo as nuk ka investuar aspak në to.
Shumica prej tyre janë edhe të demoluara dhe mekanizmat punues i kanë jashtë funksionit, rrjedhin ujë pa kontroll gjatë gjithë kohës.
Megjithatë ato përdoren shumë nga qytetarët.
Ata shprehen shumë kritikë për mirëmbajtjen e çezmave nga Komuna, duke pohuar se çezmat e tilla janë të domosdoshme në kryeqytet.
Përveç çezmave, qytetarët kërkesë të menjëhershme për kryetarin Rama kanë edhe shtimin e numrit të tualeteve publike.
Zyrtari në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Bashkim Sejdiu, i cili merret veçanërisht me këtë çështje në Komunë, thotë që tanimë janë duke punuar në projektin, përmes të cilit do të sjellin në kryeqytet edhe modelin e ri të çezmave publike, që do të jetë më fleksibil edhe për personat me aftësi të kufizuara.
Tutje ai thotë që në territorin e Prishtinës gjithsej janë 12 çezma dhe fontana ekzistuese dhe që mirëmbahen shumë mirë nga Komuna.
Mirëmbajtja e monumenteve, fontanave dhe çezmave publike në vitin 2024 Komunës do t’i kushtojë 75 mijë euro.
Kurse projekti i ri i çezmave do të shkojë për tenderim muajin e ardhshëm sipas komunarëve, si dhe gjatë këtij viti do të mund t’i shohim çezmat e reja funksionale në qendrën e qytetit.