Në një tryezë në Prishtinë janë publikuar gjetjet pas monitorimit të proceseve gjyqësore për krime lufte. Bazuar në to, për rreth 10 mijë viktima të luftës, deri më tani janë dënuar gjithsej 74 persona. Gjyqtarë e prokurorë numëruan pengesat në procese të këtilla gjyqësore.
Gjykimi në mungesë, mosbashkëpunimi i Serbisë dhe mungesa e përkthyesve profesionalë, janë identifikuar në një tryezë të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare si sfidat kryesore gjatë hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës.
Gjatë diskutimit, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë thanë se këto sfida kanë ndikuar në procese gjyqësore.
“Mungesa e bashkëpunimit ndërkombëtar është një nga sfidat më të mëdha që janë për prokurorin dhe gjykatën. Këtu e them sidomos për në aspektin me shtetin e Serbisë për shkak se aty gjenden shumica e dëshmitarëve të cilët i nevojiten gjykatës”, ka thënë Albina Shabani, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Ne e kemi sfidë të madhe në adresimin e nevojës për përkthimin e çdo dokumenti të krimeve të luftës në gjuhën shqipe apo serbe ose anasjelltas, për shkak të mungesës së përkthyesve të mjaftueshëm në kuadër të institucionit. Të gjitha këto sfida afektojnë në punën e prokurorit”, ka deklaruar Ilir Morina, udhëheqës i Departamentit për Krime Lufte pranë Prokurorisë Speciale.
Gjatë vitit 2024, janë ngritur 14 aktakuza ndaj 25 serbëve të dyshuar për krime lufte. Nga to, gjashtë aktakuza janë ngritur në mungesë ndaj 11 serbëve, ndërsa shtatë të tjera janë ndaj 13 serbëve të arrestuar.
Avokati Amer Alija që përfaqëson Fondin për të Drejtën Humanitare, prezantoi raportin me një numër gjetjesh dhe tha se gjatë vitit 2024 janë proceduar gjithsej 35 lëndë për krime lufte, prej të cilave 10 përmbajnë aktakuza për dhunë seksuale.
“Rritja e aktakuzave për dhunë seksuale është një hap pozitiv pasi viktimat e dhunës seksuale kanë filluar të thyejnë heshtjen. Për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar ose akuzave se kanë kryer krime luftë kundër popullatës civile, gjatë vitit 2024 kanë filluar ose në faza të ndryshme janë zhvilluar procedura në 34 lëndë kundër 98 pjesëtarëve të forcave serbe dhe 1 lëndë kundër dy pjesëtarëve të UQK-së”, ka thënë Alija.
Nga monitorimi i gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë, Fondi për të Drejtën Humanitare çdo vit publikon raporte lidhur me ecurinë e proceseve gjyqësore. Bazuar në to, për rreth 10 mijë viktima të luftës, deri më tani janë dënuar gjithsej 74 persona.