QKUK-ja pothuajse çdo ditë po detyrohet të mbyllë sallat operative në mungesë të anesteziologëve. Së fundi menaxhmenti i SHSKUK-së i ka kërkuar drejtorit të Anesteziologjisë një plan konkret për riorganizimin e punës me qëllim të mbulimit të sallave të operimit. E së fundi, kryeministri në Komitetin Ekzekutiv të Shëndetësisë ka paralajmëruar miratimin e një udhëzimi administrativ i cili lehtëson licencimin e profesionistëve të huaj shëndetësor, ku më pas synohet sjellja e profesionistëve shëndetësor nga diaspora. Por mjekët nga diaspora kërkojnë një sërë kushtesh për të ardhur dhe punuar në Kosovë.
Largimi i anesteziologëve nga QKUK-ja ka vazhduar ta rëndojë situatën në klinikat e saj.
Mbyllja e sallave të operimit pothuajse çdo ditë në klinikat e QKUK-së si shkak i mungesës së anesteziologëve ka shtyrë menaxhmetin e SHSKUK-së që t’i kërkojë drejtorit të Anesteziologjisë një plan për riorganizimin e punës dhe stafit të kësaj klinike.
Të martën SHSKUK-ja, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka konfirmuar se me qëllim të mbulimit të sallave operative ka kërkuar planin.
“Duke u bazuar në situatën aktuale, ku vërehet mungesë e anesteziologëve në klinikat e QKUK-së, menaxhmenti i SHSKUK-së, ka kërkuar nga drejtori i Klinikës së Anestezionit një plan konkret të riorganizimit të punës dhe të stafit të anesteziologëve, me qëllim që të mbulohen sallat operative në klinikat e QKUK-së”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Së fundi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv për Shëndetësi i formuar nga vetë ai, ka propozuar disa masa për daljen nga kjo situatë e shëndetësisë.
E ndonëse Kosova ka një udhëzim administrativ për licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj, kryeministri në kuadër të këtyre masave, ka paralajmëruar nënshkrimin e një udhëzimi tjetër administrativ për Licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj i cili pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme.
Përmes tij, Qeveria synon të lehtësojë procedurat e licencimit të profesionistëve të mërgatës, si dhe të atyre të trojeve shqiptare duke sjellë profesionistë nga mërgata e rajoni, në mënyrë që të plotësohet ofrimi i shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen.
Udhëzimi administrativ aktual për licencimin e profesionistëve të huaj parasheh një sërë kushtesh për licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj në Kosovë, të cilat qeveria po synon t’i lehtësojë.
“Është një udhëzim administrativ për licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj, që s’kanë banim në Kosovë. Të them të drejtën është mjaft i komplikuar dhe ne si odë ka vite të tëra që kemi kërkuar që ai të thjeshtësohet. Në bazë të këtij udhëzimi, një defekt i madh që ka bë, është që duhet leja e punës prej Ministrisë së Punës dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme leja e qëndrimit”, ka deklaruar Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës.
Për sjelljen e mjekëve nga diaspora duhet plotësuar një sërë kushtesh të cilat i kërkojnë ata për të ardhur dhe punuar në Kosovë.
“Një vendim jo i lehtë për një mjek të lërë një vend të sigurt me një pension të garantuar në vendet evropiane për t’u kthyer në një vend më të ardhura të ulëta ku vendi i punës nuk është gjithmonë i sigurt, marrëdhëniet mjek-pacient janë jo të mira gjithherë dhe mjetet e pakta të punës. Tema ka prekur shumë prej kolegëve, kemi pasur disa kirurgë dhe internistë që janë shprehur të gatshëm që 20-vjeçarin e karrierës së tyre ta kalojnë në mëmëdhe. Duhet të bëhen përmirësime të sistemit shëndetësor, duhet të qartësohen marrëdhëniet pacient-mjek etj.”, ka thënë Aurora Dollenberg, drejtuese e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë.
Opozita këtë veprim të ekzekutivit po e sheh si tentativë për të mbuluar dështimet.
“Ky komision është bërë për të justifikuar dështimet e Qeverisë Kurti në shëndetësi. Po konfirmohet se këta njerëz as nuk e kanë idenë se si duhet të duket shëndetësia jonë. Nuk vuajmë për udhëzime administrative e as për shkak se ata që po duan të kthehen po kanë vështirësi. Ne kemi problem me ikjen e profesionistëve dhe kryeministri dhe ministri që tani ia ka marrë funksionin duhet të merren mos me ikë prej Kosovës. Vetëm këtë vit është numri i madh që kanë ikur nga Kosova. Më shumë se 560 profesionistë kanë ikur”, ka thënë Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së e anëtar i Komisionit për Shëndetësi.
KOHA ka kërkuar përgjigje nga Zyra e kryeministrit lidhur me këto masa të propozuara dhe udhëzimin administrativ që pritet gjatë javës tjetër, por nuk ka marrë përgjigje.
Deri më tani janë mbi 60 mjekë të cilët janë larguar nga SHSKUK-ja duke shkuar në sektorin privat, derisa numri më i madh i tyre janë anesteziologë.