Konfront

“Mund të ketë vetëvrasje”, cilat janë pasojat nga abuzimi në rrjetet sociale sipas psikologut

Psikologu Rron Kastrati ka deklaruar se abuzimi në rrjetet sociale mund të çon deri në vetëvrasje.

Ai ka deklaruar të mërkurën në “Konfront” se pasojat janë shqetësuese, duke shtuar se fillimisht shkaktohet ankth e depresion

“Pasojat mund të jenë shqetësuese, mund të shkaktojnë ankthe e episode depresive, probleme në stres. Këta persona (viktimat) stresohen shumë e mund të kenë përpjekje për vetëvrasje”, ka shtuar Kastrati.


Si hakohet telefoni juaj, sipas profesorit të shkencave kompjuterike

Korab Rrmoku, profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin e Prishtinës ka thënë se edukimi medial është i domosdoshëm.

Ai ka thënë se fotografitë dhe videot të cilat mund të jenë në cilindo telefon, nuk janë të sigurta.

Rrmoku në “Konfront” të KTV-së ka deklaruar se sulmi i parë që mund të bëhet, është nga aplikacionet e fshehta.

“Shpesh shkarkojmë aplikacione që nuk janë nga rrugët zyrtare dhe shumica japin qasje të paautorizuar në përmbajtjen tuaj. Prandaj ka aplikacione të tilla që njerëzit përdorin për të marrë fotografi, video e zë pa e ditur ju fare. Rregulli i parë në rrjetet sociale është që të verifikohet burimi. Ju mund t’i besoni një shoku apo shoqeje dhe t’i dërgoni fotografi, por ndoshta telefoni i tij nuk është i sigurt”, ka thënë ai.


Islami: “A ma gjen një 14-vjeçare”, gazetarja  zbulon çfarë flitet brenda grupit në “Telegram”

Gazetarja Donjeta Islami ka deklaruar se në grupin famëkeq “Albkings” në Telegram shantazhoheshin dhe kërcënoheshin gratë e vajzat online.

Ajo ka thënë të mërkurën në “Konfront” të KTV se në grup me mijëra anëtarë “që promovonin pedofilinë”, e sipas saj, publikoheshin video ku shfaqeshin vajza të mitura duke kryer shërbime seksuale me burra.

“Vajza të mira që kryejnë akte seksuale me burra në moshë e ata kërkojnë vajza të mitura si ‘a ma gjen një 14-vjeçare të kryejë punë për dy minuta’”, ka thënë Islami.