Arbëri

Mund të ketë qëllime për të fshehur gjurmë, kryesindikalisti i zjarrfikësve tregon shkaktarët e zjarreve në vend

Muharrem Beka, kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve

Muharrem Beka, kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve, ka treguar disa nga shkaktarët e përhapjes së zjarreve në Kosovë. 

Përveç pakujdesisë që qytetarëve, ai ka thënë se mund të ketë përhapje të zjarrit me qëllime për të fshehur gjurmë, duke aluduar në prerje të pyjeve. 

“Shkaktarët janë të ndryshëm, duke filluar nga pakujdesia, një duq i cigares mjafton, pastaj qytetarët dalin edhe në shëtitje dhe pakujdesi i zjarrit me anë të përdorimit të grillit, mund të ketë zjarre edhe me qëllim për të fshehur gjurmë, p.sh., kur të bëhet prerja e pyjeve më pas fillon aty djegia në mënyrë që të asgjësohet dëmi që është bërë”, ka thënë ai të martën në “Interaktiv” të KTV-së. 

Beka ka folur edhe për kushtet e zjarrfikësve, për çka ka thënë se kjo kategori përballet me numër të vogël të zjarrfikësve e me kapacitete jo të kënaqshme operacionale teknike. 

“Kur flasim për kushtet e zjarrfikësve, ballafaqohemi me një situatë jo të mirë, sa i përket edhe burimeve njerëzore me një numër jashtëzakonisht të vogël të zjarrfikësve, është çështja edhe e kapaciteteve operacionale teknike. Ka pasur gjithandej, ka pasur në Prevallë, sot edhe në Kodrën e Goleshit, kishte në Viti, Deçan, Drenas, Kamenicë edhe në Podujevë. Kosova ballafaqohet edhe me mungesë të helikopterëve, kemi mungesë të pajisjeve bazike e lëre më të flasim për çështje të helikopterëve”, është shprehur ai.

Kryesindikalisti i zjarrfikësve është ankuar edhe për kushtet e ofruara për këtë sektor, duke thënë se zjarrfikësit përballen me mungesë të ushqimit e të ujit të pijes në terren. 

“Shëndeti i zjarrfikësve është lëkundur, është rënduar. Nuk është normale, i patë rastet kur u duhet të jenë gjithë ditën në ndikim të temperaturave shumë të larta. Mund të atakohen nga sëmundje të ndryshme për shkak të stresit, gazrave, temperaturave të larta, peshave të rënda. Zjarrfikësit që një muaj në vazhdimësi janë në terren, Prishtina është komuna e vetme që e ka siguruar një shujtë për zjarrfikësit dhe u del në ndihmë me sa ka mundësi, mirëpo në komunat tjera prej terrenit kam informacione se kanë mungesë të ushqimit, të ujit të pijes, është gjendje jo e kënaqshme dhe jo e dinjitetshme ndaj kësaj kategorie. Them se kjo gjendje është alarmi i fundit dhe durimi te zjarrfikësit veç është duke u shterur”, ka theksuar ai.

Ai ka shtuar se nga Ministria e Punëve të Brendshme u është premtuar nivelizimi i pagave të kësaj kategorie me Policinë, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. 

“(Para vitit 2022), kanë qenë dy kategori të pagesave, disa kanë qenë me koeficient 4.83, disa 5.5, pra disa i kanë marrë 278 euro, e disa 315 euro, me Ligjin e Pagës, koeficienti është bërë 5, ndërsa kërkesa e sindikatës ka qenë që të jemi të nivelizuar me Policinë e Kosovës, gjë që nuk ka ndodhur. Një zjarrfikës paguhet 5, një gardian paguhet 5.7, një korrektues paguhet 5.7, një doganier paguhet 5.6, që do të thotë se këtu në raport me shërbimet tjera të uniformuara ngecim. Na ka premtuar MPB-ja se do të nivelizohen pagat me Policinë, nuk ka ndodhur”, ka thënë ai.