Asamblisti shqiptar në qytetin Wylie të Teksasit, Gino Mulliqi, ka shprehur pritjet për angazhim më të fuqishëm të administratës Trump në dialogun Kosovë-Serbi. Ai pret që presidenti amerikan të dërgojë emisar të posaçëm për çështjen e Kosovës.
Në intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, Mulliqi, që i përket krahut republikan, ka thënë se gjatë administratës Biden, Evropa ka marrë primatin në procesin e dialogut, por nuk ka arritur ndonjë sukses të madh. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit nuk u implementua nga Serbia dhe administrata amerikane nuk ndërmori masa për ta mbajtur përgjegjëse Beogradin.
“Jam i lumtur nëse administrata Trump do ta marrë primatin edhe në dialogun Kosovë-Serbi, ashtu siç po shihet që e ka marrë edhe në Ukrainë. Përfshirja e SHBA-së në çështjen e Ukrainës është sinjal i mirë se do të ketë qasje më serioze në dialog Kosovë - Serbi”, u shpreh Mulliqi.
Ai gjithashtu theksoi se pret që presidenti Trump të caktojë emisar për dialogun.
“Kosova ka shumë miq rreth presidentit Trump. Pa marrë parasysh se kush do të jetë emisar, ne duhet të punojmë me të gjithë ata që nuk e harrojnë historinë tonë dhe t’ia kujtojmë Amerikës se jemi një ndër popujt më miqësorë të saj”, ka shtuar Mulliqi.
Sa i përket qëndrimeve të përfaqësuesve të administratës së Trumpit për kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ai ka thënë se ende nuk ka qartësi mbi deklaratat e Richard Grenellit, ish-emisarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi gjatë mandatit të parë të Trumpit.
Mulliqi bëri thirrje që lidershipi kosovar të angazhohet maksimalisht me çdo të dërguar të emëruar nga Trumpi për të garantuar proces të favorshëm për Kosovën.