Profesori i shkencave politike, Basri Muja, ka paralajmëruar se ekziston rreziku që administrata e presidentit amerikan Donald Trump mund t’i sjellë para aktit të kryer për një marrëveshje Kosovën dhe Serbinë.
Muja shpreh shqetësimin se Trumpi, në përpjekje për sukses diplomatik, mund të paraqesë marrëveshje të gatshme, të cilën Kosova do ta kishte të vështirë ta refuzonte.
“Shpresoj që Trumpi nuk do të zgjohet një mëngjes me ndonjë ëndërr të keqe dhe të tentojë të arrijë një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë. Me metodën e tij (që po shihet në problemet e tjera globale), ai mund t’i vërë palët para aktit të kryer”, ka deklaruar Muja në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës, miqtë e vendit dhe diaspora shqiptare në SHBA duhet të angazhohen përmes kanaleve diplomatike për të parandaluar situatë të tillë.
Muja gjithashtu vlerësoi pozitivisht ndryshimet në Bashkimin Evropian, duke theksuar se përfaqësuesja e re për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas dhe emisari i ri për dialogun, Peter Sorensen, janë më të favorshëm për Kosovën. Megjithatë, ai paralajmëroi se situata politike globale mbetet e paqëndrueshme.
Profesori nuk pret lëvizje të shpejta nga BE-ja në dialog, për shkak të pasigurisë politike në Kosovë dhe protestave të vazhdueshme në Serbi.
Në lidhje me heqjen e masave, ai theksoi se ky proces do të jetë më i ndërlikuar dhe më i ngadaltë për shkak të shteteve brenda BE-së që kanë qëndrime më pak miqësore ndaj Kosovës.