Arbëri

Muja: Rikthimi i Trumpit e hallakati skenën politike, Kosova duhet të gjejë partnerë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pret marrëdhënie të mira bilaterale me Shtetet e Bashkuara edhe me rikthimin e Donald Trumpit si president. 

E, analisti politik, Basri Muja, ka thënë se deklarata e Kurtit është me vend dhe se Qeveria duhet të gjejë kanale bashkëpunimi me cilëndo administratë të SHBA-së.

“Rikthimi i Trumpit në pushtet e ka hallakat skenën politike ndërkombëtare. Sigurisht edhe Kosova nuk mund të kalojë ndryshe. Trumpi është politikan jotipik, i paparashikueshëm dhe fare i lehtë për të diskutuar, për tu marrë vesh me të. Deklarata e Kurtit është me vend, Kosova duhet të gjejë kanale, partnerë te secila administratë që është”, është shprehur ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Sipas Mujës, Trumpi e ka një kornizë përtej të cilës nuk del pavarësisht se konsiderohet si president i paparashikueshëm në vendime.

“Nëse e krahasojmë me vitin 2016 kur ishte administrata e parë Trump ka dallim të madh me gjendjen e tanishme. Është një president që ka pasur përvojë si president, është shumë legjitim. Pres që Trump do ta ketë një kornizë përtej së cilës nuk do të dalë, ndërsa Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë të intensifikojë përpjekjet për gjetjen e rrugëve për gjetjen e kontakteve jo vetëm në skenën politike”.

E sa i përket procesit të dialogut, Muja ka thënë se nuk pret zhvillime këtë vit.

“Nuk pres zhvillime të shpejta sepse është viti i parë dhe institucionet e BE-së dhe administrata Trump kanë probleme më të mëdha. Gjatë shkurtit do të ketë ndonjë vizitë për njohjes mes të lehtësuesit dhe përfaqësuesve politikë të Kosovës dhe Serbisë, nuk pres intensitet të shtuar”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe Muja ka potencuar se Kosova nuk duhet të heqë dorë nga parimet dhe interesat shtetërore.

“Qeveria e Kosovës duhet të jetë e gatshme për bashkëpunim, për implementimin e marrëveshjeve, por nuk duhet të jetë në defansivë, duhet t’i mbrojë interesat e shtetit. E kam të qartë se do të ketë presione të mëdha prej amerikanëve dhe evropianëve sepse Serbia është shtet më i fuqishëm, më atraktiv, pastaj loja e saj mes Moskës dhe Brukselit e bëjnë Serbinë pak më interesant”, ka përfunduar Muja.