Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje do të rrezikojë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, nëse kusht për të është dërgimi i draft statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka qenë i shkurt e i qartë në përgjigjen e tij në lidhje me këtë çështje. E për opozitarët, çështja e parakushteve të reja për anëtarësim në KiE është çështje e Qeverisë.
Pushteti nuk do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit edhe nëse me këtë veprim siguron përkrahjen e nevojshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Pak javë nga diskutimet në Komitetin e Ministrave, Kosovës nga Gjermania e Franca i është kërkuar që të bëjë veprime të prekshme në drejtim të zbatimit të marrëveshjes së Asociacionit.
Pas mbledhjes së kryesisë, Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje, u shpreh i bindur se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për t`u bërë anëtare e KiE-së.
“Përgjigja është jo. Jo,”, ka qenë përgjigja e tij në pyetjen “a do ta dërgoni në Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit në këmbim të anëtarësimit në Këshill të Evropës?”
E për këtë çështje, sipas opozitarëve, përgjegjësinë e bart ekzekutivi.
Përfaqësues të tri partive opozitare në Kuvend megjithëkëtë, kërkuan seriozitet në trajtimin e situatës.
“Çështja e dorëzimit ose mos dorëzimit të draftit të Asociacionit nuk është çështje e opozitës, është çështje e Qeverisë së Kosovës. Qeveria duhet të jetë e përgjegjshme karshi nevojën për t’u dhënë epilog zhvillimeve të cilat do t’i kemi së shpejti në Këshillin Evropës”, tha Blerta Deliu, deputete e PDK-së.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se kjo është pyetje për qeverinë. “Ne si grup parlamentar nuk dëshirojmë të përfshihemi në këtë temë. E para sepse është detyrë dhe obligim i qeverisë dhe e dyta nuk dëshirojmë që të ndikojmë apo të përkeqësojmë pozicionin e qeverisë së Kosovës në raport me vendet me të cilat është duke negociuar”, theksoi Gashi.
Ndërkohë Besnik Tahiri, shef i GP të AAK-së, deklaroi se në këtë temë Qeveria duhet të ketë kujdes.
“Anëtarësimi në Këshill të Evropës, e barazon e qet Kosovën në një rrafsh tjetër në raport me subjektivitetin ndërkombëtar. Qeveria duhet të ketë shumë kujdes se si duhet të sillet dhe do të jetë shumë përgjegjëse dhe serioze në këtë temë”, theksoi ai.
Përgjegjësinë te pushteti, opozitarët e lanë edhe sa i përket miratimit të projekt-kodit civil.
Kryeministri Albin Kurti ditë më parë ka premtuar se do të angazhohet në sigurimin e votave të nevojshme, por për të përkrahjen nuk do e gjejë te opozita.
“Aktualisht nuk e di por shumica parlamentare është duke punu që të sigurojë konsensusin e nevojshëm, brenda grupit parlamentar”, tha Muja, deputet i pushtetit.
Ndërkohë Deliu e PDK-së, theksoi se është kompetencë e shumicës parlamentare që të deklarohet sepse sipas saj PDK-ja nuk merr pjesë në votime.
Arben Gashi i LDK-së tha se kjo është situatë e zgjidhshme nga Lëvizja Vetëvendojse/ “Për shkak se ai ligj kalon me 31 vota, duhet 61 deputetë të marrin pjesë, 31 të votojnë pro”, theksoi ai.
Deputeti i AAK-së Besnik Tahiri, tha se kjo nuk është përgjegjësi e Aleancës. “Ne kemi pas pozicion kundër dhe kundër jemi”, theksoi ai.
Mes diskutimesh të tjera, në kryesinë e Kuvendit është vendosur që këtë javë të mbahet debati në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Derisa për javën tjetër, pritet që të debatohet edhe për 3-vjetorin e qeverisjes së drejtuar nga kryeministri Kurti.