Arbëri

Muja: Për herë të parë qytetarët serbë do të jenë të lirë të votojnë

Basri Muja

Basri Muja, profesor i shkencave politike, ka thënë se në zgjedhjet e shkurtit qytetarët serbë për herë të parë do të jenë të lirë të votojnë.

“Për herë të parë serbët do të jenë në situatë që të votojnë të lirë. Deri tani nuk kanë qenë të lirë, kanë qenë të dirigjuar, ka pasur vjedhje votash, ka pasur manipulime”, ka thënë ai.

Muja ka shtuar se në zgjedhjet e ardhshme gjendja do të jetë ndryshe sepse për herë të parë policët po i ekzekutojnë vendimet gjyqësore të marra me vite.

“Në zgjedhjet e ardhshme pres të ketë më shumë kandidatë dhe do të ketë për herë të parë pluralizëm edhe në komunitetin serb”, ka shprehur ai.


Sadiku: PDK-ja mund të hyjë në koalicion me VV-në, strukturat e saj duan pushtet

Analisti Arbnor Sadiku vlerëson se PDK-ja ka gjasat më të mëdha që pas zgjedhjeve të shkurtit të hyjë në koalicion me VV-në. 

Sipas Sadikut, udhëheqësia e kësaj partie është peng e ish-zyrtarëve që ndodhen në paraburgim në Hagë, e po ashtu strukturat e saj kanë mungesë pushteti. 

"PDK-ja i ka disa komuna të vogla, por i mungon pushteti. Ka presion nga strukturat e saj për pushtet. Kjo një, por edhe planprogramet janë më të afërta të këtyre dy partive", ka thënë Sadiku në emisionin "Konfront" në KTV, të mërkurën.


Gjinovci: Qysh me u marrë opozita me gjendjen në arsim e shëndetësi kur vetë është fajtore

Analisti i emisionit “Konfront” në KTV, Rron Gjinovci, ka thënë se opozita nuk mund ta merret me gjendjen në shëndetësi, arsim e ekonomi, pasi që sipas tij ajo vet është fajtore për gjendjen në këta sektorë. 

“Në të gjithë po themi që opozita është dashur të merret, por si të merret opozita me shëndetësi kur vetë e ka pas pushtetin e shëndetësia është në këtë gjendje për shkak të saj, qysh të merret opozita me arsim, kur opozita është fajtore pse arsimi është në këtë gjendje, qysh të merret opozita me ekonomi, kur opozita është fajtore që ekonomia është në këtë gjendje”, është shprehur Gjinovci. 

Sipas tij opozita nuk mund të sjellë ndryshim rrenjësor në këta sektorë pa sjell njerëz të rinj në struktura. 

“Ka qenë shumë problem për ta, përveç me ndryshimin rrënjësor të lidershipit, problemi është që edhe kur erdhën liderët e rinj, është rasti i Lumir Abdixhikut është e pamundur për shkak të konjukturave të cilat i ka trashëguar, të mund të bëjë ndryshime rrënjësore te shumica e politikanëve të LDK-së, është shërbyer me plot figura të vjetra”, ka theksuar ai, duke shtuar se nuk mjafton vetëm ta ndryshosh kryetarin, kur të gjitha strukturat e tjera përbëhen nga njerëz të vjetër. 


Muja: Në asnjë dikaster nuk është gjendja e mirë, opozita duhet ta shfrytëzojë

Profesori i shkencave politike, Basri Muja, ka thënë se asnjë dikaster nuk është në gjendje të mirë.

Sipas tij, partitë opozitare do të mund ta shfrytëzonin këtë fakt për ta sfiduar pushtetin e tanishëm. 

I ftuar në “Konfront” të KTV-së, Muja ka thënë se pushteti aktual i Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të mbahet mend për asnjë sukses më të veçantë. 

“Nëse e përjashtojmë veriun e Kosovës, mendoj që në dikasteret e tjera gjendja nuk është mirë dhe nuk e di një dikaster ku do ta specifikoja me të cilin VV-ja do të mund të krenohej. Të gjithë dikasterët, duke filluar prej arsimit, shëndetësisë, çështjet e ndryshme sociale janë tema që partitë opozitare kanë mjaft material që ta sfidojnë sepse nuk është që për punën e tyre në këto dikastere Lëvizja Vetëvendosje do të mbahet mend, nuk e di ku mund ta përmendim një sukses më të veçantë, sigurisht që LVV-ja e ka përgjigjen e vet edhe për këto fusha”, ka thënë ai.


Demolli nga PSD-ja: Partitë opozitare gabuan, Kurti do ta mbajë pushtetin

Sipas Donjeta Demollit, aktiviste e PSD-së, partitë opozitare kanë gabuar në parashikimet e tyre për Qeverinë Kurti. Ajo ka thënë se partitë në vazhdimësi kanë dështuar t’i parashikojnë veprimet e pushtetit dhe se ato kanë pasur pozicion “totalisht jokonsistent”.

“Sa i përket fushatës elektorale, çka do të shohim do të jetë çka kemi pa këto tri vjet. Nuk do të ketë rezultat tjetër përpos asaj që kemi pa, që i bie se VV-ja e ka dominuar skenën politike, e ka dominuar diskursin politik në këto tri vjet dhe do ta dominojë fushatën parazgjedhore. Partitë opozitare kanë qenë pasive, kanë bërë opozitarizëm jashtëzakonisht pasiv, kanë pasur kalkulim të keq të kësaj qeverisje dhe besoj që edhe dizajni i fushatës së partive opozitare elektorale ka me qenë i tillë që nuk do të lë ndonjë shenjë substanciale në raport me rezultatin zgjedhor”, ka thënë ajo.

Demolli ka shtuar se kryeministri Albin Kurti vazhdon të ketë popullaritet më të madh, ndryshe asaj që ka thënë opozita.  

“Partitë opozitare e kanë parë Kurtin dhe VV-në si fruth që do kalojë shpejt, e kanë pa si një pushtet që sa më gjatë që rrijë në pushtet aq më i dobët do të jetë. Të dyja këto kanë dalë të jenë të pavërteta. Kurti sipas sondazheve vazhdon të jetë shumë i përshtatshëm në Kosovë, vazhdon të ketë popullaritet”.