Arbëri

Muja: Koalicioni më stabil do të ishte LVV – PDK

Profesori i shkencave politike, Basri Muja, ka vlerësuar se koalicioni më stabil për formimin e Qeverisë së re në Kosovë do të ishte ai mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Duke komentuar refuzimin e partive opozitare për të qenë pjesë e koalicionit me LVV-në, Muja ka thënë se përpara certifikimit të rezultateve përfundimtare, deklaratat e partive politike janë kryesisht strategjike, me synimin për të forcuar pozitat e tyre në negociata.

“Këto zgjedhje kanë nxjerrë një fitues të qartë, Lëvizjen Vetëvendosje. Opsioni më i sigurt dhe më stabil për krijimin e Qeverisë do të ishte një bashkëpunim mes LVV-së dhe PDK-së. Një koalicion i tillë do të siguronte numrat e nevojshëm edhe për zgjedhjen e presidentit dhe do të shmangte zgjedhjet e jashtëzakonshme”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Një tjetër opsion për formimin e ekzekutivit, siç thotë Muja, do të ishte koalicioni i LVV-së me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë dhe një deputet nga partia e Nenad Rashiqit. Por sipas tij, kjo do të ishte Qeveri e brishtë.

“Po ashtu, Fatmir Limaj ka shprehur gatishmëri për të hyrë në Qeveri. Ka mundësi që në rrugë e sipër të gjenden edhe deputetë nga parti të tjera që për arsye të ndryshme mund të ndërrojnë pozicion. Megjithatë, një shumicë prej 61 deputetësh do ta bënte Qeverinë shumë të brishtë dhe jo funksionale”, theksoi Muja.

Ai gjithashtu potencoi se sfida më e madhe do të jetë zgjedhja e presidentit, që kërkon të paktën 80 vota, duke shtuar se ky skenar mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

Muja ka thënë se opsioni më i keq për formimin e Qeverisë do të ishte që të bëhej nga opozita. Megjithatë, gjasat janë të mëdha, siç thotë profesori, të futemi në ngërç politik.

Ai gjithashtu kritikoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke e cilësuar si të papërgatitur për këto zgjedhje.

“KQZ-ja nuk ka qenë në krye të detyrës, ka pasur dështime të njëpasnjëshme që nga dita e parë. Nëse tani janë të gatshëm për shpalljen e rezultateve përfundimtare, është një lajm pozitiv”, përfundoi Muja.

KQZ-ja pritet që nesër të shpallë rezultatet përfundimtare.

LVV-ja pritet t’i ketë 48 deputetë, PDK-ja 24, LDK-ja 20 e koalicioni AAK-Nisma tetë.