Arbëri

Muja kërkon që masa e sigurisë ndaj mallrave serbe të mbetet në fuqi

Armend Muja

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, konsideron se është e nevojshme që të mbetet në fuqi masa e sigurisë ndaj mallrave serbe. Ndërsa, këto ditë Gjermania ka paralajmëruar se Kosova mund të përjashtohet nga nismat rajonale tregtare nëse vazhdon të ngulë këmbë në ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia.

Qeveria po mbaron mandatin 4-vjeçar dhe ende nuk ka siguruar asnjë njohje për shtetin e Kosovës.

Derisa deputeti Muja arsyetohet se fokusi i kësaj qeveria ka qenë tek shtrirja e sovranitetit në tërë vendin.

Në një intervistë për KosovaPress, Muja shprehu optimizëm për rritjen ekonomike të Kosovës, duke parashikuar se ajo do të jetë rreth 5 për qind, përkundër prognozës së Bankës Qendrore prej 3.9 për qind.

Sipas tij, Kosova ka qenë pjesëmarrëse konstruktive në proces, mirëpo tash një vit, tregtia e lirë është keqpërdorur nga Serbia për të armatos veriun e vendit, siç thotë ai, tregtia e lirë është abuzuar dhe Kosova ka nevojë për masa shtesë.

“Ne kemi qenë si vend i përkushtuar ndaj tregtisë së lirë, në fakt tregtia e lirë, liria e lëvizjes së kapitalit, liria e lëvizjes së fuqisë punëtore, liria e lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve kanë qenë disa vlera që ne kemi promovuar si Kosovë historikisht edhe në bashkëpunimet tona rajonale edhe në Procesin e Berlinit kemi qenë të parët në Kuvend që kemi miratuar gjitha masat. Kosova ka qenë pjesëmarrëse konstruktive në proces, mirëpo tash një vit, tregtia e lirë është keqpërdorur nga Serbia për të armatos veriun e vendit dhe tash tregtia e lirë është abuzuar dhe Kosova ka nevojë për masa shtesë që të sigurohet që këto vlera fisnike po ashtu të sjellin benefit për gjithë njerëzit dhe të mos keqpërdoret nga liderë autoritar dhe nga struktura kriminale të Radojiçiq për të cenuar sigurinë fizike apo integritetin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Muja, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, ka shtuar se rritja ekonomike deri në fund të vitit pritet të jetë rreth 5 për qind.

“Rritja ekonomike e këtij viti është parashikuar nga Banka Qendrore të jetë 3.9 për qind, megjithatë këto projeksione në dy, tre mujorët e parë janë tejkaluar dhe rritja ekonomike në tre mujorin e parë dhe tre mujorin dytë që është gjashtë muajt e parë është pesë për qind, që është përtej projeksioneve, dhe besoj se është më e mundshme të presim që konsideruar edhe faktin se vera, ky tremujor, por edhe tre mujori i fundit zakonisht në Kosovë kanë performancë më të mirë, unë nuk parashoh se rritja ekonomike të jetë nën 5 për qind”, është shprehur ai. 

Në lidhje me njohjet e reja për vendin, ai theksoi se këto ide janë pjesë e programeve të qeverive të kaluara, duke theksuar se qeveria e tanishme është fokusuar në shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të vendit.

“Qeveria duhet të matet me programin e saj, këto ide për njohje kanë qenë programe të qeverive të kaluara. Sigurisht është rritja, forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, është një aspekt i rëndësishëm mirëpo në rastin tonë ka qenë e rëndësishme sovraniteti i brendshëm ose kompletimi i shtetformimit që autoriteti i Kosovës shtrihet në çdo cep të territorit, sepse ajo pastaj është përdorur si për të justifikuar kampanjën e çnjohjes, ashtu është përdorur edhe si kundër peshë negociuese ndaj Kosovës. Kështu, shtrirja e autoritetit, integrimi i komunitetit serb në demokracinë tonë zbeh potencialin shantazhues të Serbisë ndaj elitave tona politike”, ka thënë Muja.

Sa i përket projektbuxhetit 2025, Muja deklaroi se 30 tetori duhet të jetë data e fundit kur vjen ky projektligj në Kuvend, porse shtoi se, mund të ndodhë edhe më herët. /KSP