Arbëri

Muja: Delegjitimim i madh i Kuvendit nëse LVV-ja do t’ia linte Limajt postin e kryeparlamentarit

Analisti politik Basri Muja, ka thënë se do të ishte devalvim i demokracisë dhe delegjitimim i madh i Kuvendit nëse partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, do të vendoste që postin e kryeparlamentarit t’ia linte Fatmir Limajt dhe Nismës Socialdemokrate.

Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Muja ka vlerësuar se do të ishte mosrespekt për votuesit e saj, nëse LVV-ja do t’ia bartte këtë pozitë dikujt që i ka vetëm tre deputetë. 

“Mendoj se LVV-ja nuk do t’ia ofrojë pozitën e kryeparlamentarit z.Limaj sepse jo rastësisht me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese ajo pozitë i lihet grupit më të madh parlamentar sepse do të ishte mosrespekt për votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje që në masë të madhe kanë dalë dhe i kanë votuar, e tash t’i lihet ajo pozitë dikujt që i ka vetëm tre deputetë, në raport me dikë që i ka 48 deputetë. Do të ishte një devalvim i demokracisë dhe delegjitimim i madh i Kuvendit të Kosovës”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se ndonëse Limaj është politikan i vjetër dhe e di se çfarë duhet të kërkojë, në fund do të bëhet më bashkëpunues sepse është i vetëdijshëm që nuk ka zgjidhje tjetër pos të shkohet në zgjedhje, gjë që sipas Mujës, nuk është në favor të tij. 

“Z.Limaj është politikan i vjetër, ka kaluar faza të ndryshme dhe mendoj se di çka të kërkojë dhe sit ë përcjellë zhvillimet, për të është më e pavolitshmja përsëritja e zgjedhjeve dhe po qëndron, ka vendosur kushte të larta, po përmendet pozita e kryeparlamentarit e 3-4 ministri të rëndësishme. Duket që marrëveshja me LVV-në nuk është përmbyllur dhe se ai nuk është i kënaqur me ofertën që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, por mendoj se në fund kur z.Limaj e sheh që nuk ka zgjidhje tjetër pos të shkohet në zgjedhje të parakohshme, do të bëhet më kooperativ”, ka theksuar ai.

Profesori Muja ka thënë se procesi për konstituimin e Kuvendit po zvarritet, pasi faza tjetër – formimi i Qeverisë – ka afate dhe mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Po zvarritet ky proces sepse në tavolinën e dytë ka afate dhe brenda disa ditëve duhet të sqarohet nëse kemi Qeveri të re apo do të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Duket që të dyja blloqet nuk i kanë numrat për formimin e Qeverisë dhe është ky hezitim tani. Secila palë që do të kishte qenë e sigurt se i kanë numrat, do të ishin më konstruktivë dhe do të gjenin mënyra për ta shtyrë procesin më tej”, ka thënë ai.