Arbëri

Muhaxhiri: Serbia nuk do ndalet kurrë së sponsorizuari grupe kriminale, por luftë s’mund të shkaktojë

Artan Muhaxhiri, analist politik

Analisti Artan Muhaxhiri ka thënë se nëse Kosova dëshiron përkrahje për rastin e Banjskës nga ndërkombëtarët, duhet të japë diçka në kthim. Kjo sipas tij është kthimi në dialog.

Në “Interaktiv”, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk do të lejojnë asgjë që ta dëmtojë dialogun Kosovë-Serbi.

“Një kërkesë e BE-së ka qenë që pala kosovare ta krijojë aktakuzën. Shpesh kur e kanë pyet Stanon pse BE nuk po ndërmerr masa, ka thënë se po e pret Kosovën për aktakuzën, tash ajo ekziston dhe tash është nivel tjetër i diskutimit. Edhe tash ka interesa. Interesi i BE-së dhe SHBA-së është dialogu dhe nuk do lejojnë që asgjë ta dëmtojë dialogun deri në pikën e pakthim sepse dialogu dhe marrëveshja finale është rruga e vetme për normalizim të rajonit”, ka thënë Muhaxhiri.

“Aleatët nuk japin pa marrë diçka. Nëse dëshiron të përkrah në aspektin e Banjskës, edhe ti duhet ta përkrahësh në një interes që është ai në rajon, veçanërisht në dialog”.

Duke folur për negociatat, Muhaxhiri ka theksuar se kompromisin kryesor që duhet ta bëjë Kosova është trajtimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kosova e para, kompromisi më i madh dhe e mira më e madhe që Kurti mund ta bëjë është që të fillojë ta trajtojë Asociacionin sepse Asociacioni është elefanti në dhomë, problemi më i madh, pa tejkalimin e tij nuk mund të bëhet asgjë”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse Kosova mund të jetë e rrezikuar nga një konflikt, Muhaxhiri ka deklaruar se incidente mund të ketë, por asnjëherë luftë.

“Natyrisht se ka rrezik, por vetëm për incidente – ka pasur, ka dhe mund të ketë. Serbia nuk do të ndalet kurrë së sponsorizuari grupe të tilla, vetëm një presion shumë i madh mund ta detyrojë atë të mos e bëjë këtë. Incidente mund të ketë, por luftë frontale në asnjë mënyrë nuk mund të ketë. Po e shoh një dëshirë që të mbillet një lloj frike kolektive se mund të ketë luftë, absolutisht asnjë argument nuk është. Argumenti kryesor kundër saj është NATO. NATO është në Kosovë, është në Maqedoni, është në Mal të Zi, është në Shqipëri, është në të gjithë Ballkanin. Dikush që fillon luftë frontale me Kosovës, ka filluar luftë frontale me NATO-n”, ka thënë ai.